OJQ-të kërkojnë urgjentisht prishjen e objekteve ilegale pranë bregut të Ohrit
Pushteti i ri lokal në Ohër, në krye me Kiril Pecakovin nga VMRO DPMNE-ja, i cili sot zyrtarisht u ul në kolltukun e kryetarit të komunës, duhet të fillojë menjëherë zgjidhjen e problemit të ndërtimeve ilegale, veçanërisht në zonën e mbrojtur të liqenit të Ohrit. Për këtë me vite e paralajmëron UNESCO, duke i dhënë afat shtetit dhe komunës edhe dy vite për të zgjidhur të gjitha problemet e grumbulluara, në mënyrë që rajoni të mos jetë në listën e zonave të rrezikuara.
“Gjithçka që duhet të prishet, realisht duhet të prishet sepse të gjithë qytetarët e tjerë që kanë paguar siç duhet për shërbimet komunale, lejet e ndërtimit do të vendosen në pozitë jo të mirë. Nëse tani kanë filluar t’i zgjidhin këto probleme, mendoj se nëse qëllimi është i sinqertë dhe nëse sigurohen resurse, për largimin e gjithçka që nuk është larguar, që të ketë kohë për ta zgjidhur atë brenda një kohe të arsyeshme”, tha Gjoko Zoroski- ambientalist.
https://youtu.be/aAd3_990Jwg
“Është diskutuar shumë herë gjatë fushatës dhe nuk kam në plan t’i diskutoj këto gjëra sot, por do të punojmë në të gjitha ato rekomandime që kanë të bëjnë me UNESCO-n dhe sigurisht të gjitha nevojat reale të qytetarëve. Gjithçka që është në kompetencën tonë, do të zbatohet”, u shpreh Kiril Pecakov- kryetar i komunës së Ohrit.
Ambientalistët shpresojnë se autoritetet nuk do t’i nënshtrohen presioneve dhe plazhet t’u mbeten qytetarëve.
“Shpresoj që kjo Qeveri do të jetë e pjekur dhe do t’i kuptojë indikacionet e profesionistëve apo ekspertëve të UNESCO-s dhe se do të ndërmarrë realisht hapa konkretë për t’ua kthyer plazhet qytetarëve dhe për të pasur shfrytëzim dhe menaxhim të qëndrueshëm të tyre, që mos të ketë leje për ndërtimin e strukturave dhe platformave të ndryshme pa miratim apo pa leje përkatëse”, theksoi Gjoko Zoroski- ambientalist.
Ndryshe, në kohën e kryetarit të kaluar të komunës janë rrënuar dhjetëra objekte përgjatë bregut në Ohër dhe platformat në liqen. Për mbrojtjen e liqenit dhe peshkut, ndalohet ndërtimi në distancë prej 50 metrave nga bregu.
Miki Trajkovski







