OKB denoncon kufizimet e reja të talebanëve ndaj grave

OKB denoncon kufizimet e reja të talebanëve ndaj grave

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka denoncuar politikat e qeverisë talebane ndaje grave dhe vajzave në Afganistan.

Talebanët i kanë ndaluar gratë të ndjekin universitetin dhe të punojnë për organizatat joqeveritare brenda javës së fundit.

Këshilli i Sigurimit prej 15 anëtarësh tha se ishte thellësisht i alarmuar nga kufizimet në rritje për arsimimin e grave.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se kufizimet e fundit “duhen shfuqizuar”, pasi ishin shkelje të pajustifikueshme të të drejtave të njeriut.

“Veprimet për të përjashtuar gratë dhe vajzat vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje të jashtëzakonshme dhe pengesa të mëdha për potencialin e popullit afgan,” shkroi ai në Twitter.

Një deklaratë nga Këshilli bëri thirrje për pjesëmarrje të plotë, të barabartë dhe kuptimplotë të grave dhe vajzave në Afganistan.

Ai u kërkoi talebanëve të rihapin shkollat dhe të ndryshojnë me shpejtësi këto politika dhe praktika, të cilat përfaqësojnë një erozion në rritje për respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.

Talibanët arrestuan javën e kaluar pesë gra që merrnin pjesë në një protestë në kryeqytetin afgan, Kabul, mbi ndalimin e arsimimit të femrave. Janë arrestuar edhe tre gazetare.

Që nga rimarrja e kontrollit të vendit vitin e kaluar, talebanët kanë kufizuar vazhdimisht të drejtat e grave, pavarësisht se premtuan se sundimi i tyre do të ishte më i butë se regjimi i parë në vitet 1990.

LEXO EDHE:

Back to top button