OKB rezolutë për paqen në Ukrainë, 141 vende pro

OKB rezolutë për paqen në Ukrainë, 141 vende pro

Një vjetorin e sulmit rus në Ukrainë, OKB-ja e shënoi me një mesazh të qartë për Rusinë: Një rezolutë e cila I kërkoi Moskës fundin e armiqësive dhe tërheqjen e menjëhershme të trupave të saj, që kanë mbjellë vdekje dhe shkatërrim në vendin fqinj me një agresion krejtësisht të paprovokuar.

141 vende votuan pro-rezolutës, bashkësponsorizuese e të cilës ishte Shqipëria. Ministrja e jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka iu drejtua Asamblesë më një fjalim ku dënoi ashpër aktet e dhunës ruse mbi popullsinë e pafajshme ukrainase.

“Krimet e luftës që ka kryer në Ukrainë gjatë vitit të kaluar, bombardimet pa kriter të qyteteve dhe qytezave të tëra, përdhunimet, ekzekutimet, mobilizimi masiv i të dënuarve dhe mercenarëve, janë ndoshta akuza më e mirë ndaj natyrës së vërtetë të luftës së Rusisë…Unë besoj se një botë ku forca ndikon në të drejtën, ku vendet mund të vendosin papritur të sulmojnë fqinjët e tyre dhe të aneksojnë pjesë të territorit të tyre, është një botë që nuk do të ishte dobiprurëse për asnjë prej nesh. Ose njerëzit tanë”, tha Xhaçka.

Përpara Asamble foli dhe zëvendësambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Dai Bing, I cili përcolli qëndrimin e vendit të tij se dërgimi I armëve në Ukrainë, në fakt po e zgjat luftën.

“T`i hedhësh benzinë zjarrit, vetëm sa I përkeqëson tensionet. Zgjatja dhe zgjerimi i konfliktit thjesht do t’i bëjë njerëzit e zakonshëm të paguajnë një çmim edhe më të lartë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të luajmë rol konstruktiv në krizën në Ukrainë dhe të sjellim paqe sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh Dai Bing, zv.ambasador i Kinës në OKB.

Fuqitë perëndimore i kanë ofruar Ukrainës armë në vlerë prej miliarda dollarësh që kur Rusia nisi pushtimin e saj 24 shkurtin e vitit 2022, një ndihmë kjo e konsideruar më se e vyer nga Kievi.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, u shpreh falënderues për miratimin e rezolutës, që e përshkroi si dëshmi shtesë se jo vetëm Perëndimi e mbështet shtetin e tij, por edhe vende që përfaqësojnë Amerikën Latine, Afrikën dhe Azinë, që votuan në favor të saj.

LEXO EDHE:

Back to top button