Onkologjia 2 / Gjykata pranoi garancitë e ofruara të Nino Vasev dhe Nehad Nuhi
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev, dhe ish-drejtori ekonomik, Nehad Nuhi, do të mbrohen në liri pasi gjykata pranoi garancitë e ofruara përmes hipotekës mbi pasuri të paluajtshme. Ndaj tyre janë caktuar masa kujdesi, përfshirë ndalim të largimit nga territori i Shkupit, detyrim për paraqitje mujore në Gjykatë dhe konfiskim të përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit.
“Pos mendimit pozitiv të Prokurorisë Publike, Këshilli ka pasur parasysh edhe faktin se masa e paraburgimit, e përcaktuar me vendim të Gjykatës së Apelit në Shkup, sipas dispozitave ligjore, mund të vazhdohet dhe të zgjasë më së shumti deri më 18 korrik 2026. Duke qenë se prokuroria kompetente është tërhequr nga e drejta e ankesës ndaj këtyre vendimeve, dhe hipoteka e ofruar si garanci është tashmë e regjistruar në Kadastër, vendimet janë bërë të formës së prerë, pas së cilës të pandehurit janë liruar nga paraburgimi”– thonë nga Gjykata Penale
Nikolla Vasev dhe Nehad Nuhi akuzohen në rastin “Onkologjia 2” për furnizim të paligjshëm të barnave gjatë viteve 2018–2022 përmes tenderëve fiktivë dhe për përvetësim të terapisë, duke shkaktuar dëm prej rreth 36 milionë eurosh në buxhetin e shtetit. Ndaj tyre po zhvillohet edhe një tjetër proces gjyqësor, “Onkologjia 1”, ku së bashku me dy mjekë të tjerë akuzohen për trajtim të papërgjegjshëm të pacientëve. /Alsat.mk








