Dogana zbulon tentativë për futje të paligjshme të botoksit nga Koreja e Jugut

Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Drejtoria Doganore ka paraqitur në Prokurori Publike dy kallëzime penale për një mjek dhe një infermiere të punësuar në Qendrën Klinike, të cilët dyshohen se kanë tentuar të fusin në vend 199 ampula botoksi me vlerë rreth 10 mijë euro. Dërgesa postare ishte deklaruar në mënyrë të rreme si 10 mostra kozmetike me vlerë prej vetëm 80 dollarë. Rasti u zbulua nga zyrtarët doganorë pas kontrollit të një pakete të paraqitur për doganë. Megjithëse dokumentacioni tregonte se bëhej fjalë për produkte kozmetike, kontrolli fizik zbuloi se ampulat në fakt ishin të destinuara për përdorim në mjekësinë estetike.

“ Hetimet paraprake kanë zbuluar se i dyshuari kryesor, mjek në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza”, kishte porositur produktet nga një kompani në Korenë e Jugut, duke u marrë vesh që ato të paraqiteshin në faturë si produkte kozmetike me vlerë shumë më të ulët nga ajo reale. Sipas hetimeve, infermierja e dyshuar kishte pranuar që porosia të mbërrinte në emrin dhe adresën e saj, ndërsa pagesa e faturës ishte kryer nga llogaria e saj bankare”- thonë nga Drejtoria e Doganave.

Nga Drejtoria Doganore theksojnë se importi i botoksit i nënshtrohet procedurave të rrepta dhe lejeve të posaçme, ndërsa çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin do të ndëshkohet. Para dy muajsh autoritetet zbuluan një rrjet kriminal të përfshirë në kontrabandën e preparateve estetike të falsifikuara, të cilat përdoreshin për trajtime me botoks, fillerë dhe ndërhyrje të tjera estetike. Në aksion u arrestuan 14 persona, ndërsa policia sekuestroi sasi të mëdha preparatesh, si dhe para e sende me vlerë. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button