Opozita e bllokoi debatin për huanë e re prej 260 milionë eurosh
Gazetar: Angell Dimitrovski
Opozita e bllokoi debatin për huanë e re prej 260 milionë eurosh dhe paralajmëroi kallëzim penal dhe interpelancë për kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, për shkak se, siç thonë nga LSDM, e ka shkelur Rregulloren e Kuvendit me shkarkimin e kryetares së Komisionit për Financa dhe Buxhet, Sanja Lukarevska. Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se nuk do të marrin pjesë në debatin për huanë e re nga bankat e jashtme komerciale, me arsyetimin se shteti po hyn çdo ditë në borxhe me shuma të mëdha parash, të cilat, sipas tij, nuk kontrollohen dhe përfundojnë tek firmat partiake përmes procedurave të tenderimit.
“Kryetari I Kuvendit duke shkelur Rregulloren cakton mbledhje të Komisionit për Financa dhe Buxhet, komision të cilin e udhëheq deputetja jonë Sanja Lukarevska dhe pavarësisht se ajo është këtu dhe nuk mungon, ndërsa Rregullorja nuk e lejon këtë kur deputeti është i pranishëm, ai angazhon një deputet tjetër për ta udhëhequr këtë komision. Duke pasur parasysh se kjo tashmë është bërë praktikë e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, dhe me këtë e shkel Rregulloren, paralajmërojmë se do të dorëzojmë kallëzim penal dhe interpelancë për kryetarin e Kuvendit”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Deputeti i VMRO DPMNE-së Bojan Stojanovski tha se në mungesë të argumenteve, LSDM-ja po ikë nga debate.
“Mendoj se ky është një produkt politik i dëshpëruar dhe që përdoret vetëm sa për të thënë diçka si argument. Lirisht le ta dorëzojnë, nuk është hera e parë që LSDM humb një kontest për gënjeshtrat e thëna në publik. Prandaj, unë do t’i ftoja fillimisht t’i kontrollojnë dispozitat e Rregullores për arsyen pse ata nuk e thirrën komisionin brenda afatit, ndërsa ja, unë i ftoj që të mos mbetet Afrim Gashi i vetëm, por të paraqesin interpelancë edhe për mua si kryesues”, theksoi Bojan Stojanoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Ndryshe, huamarrje për disa ditë e bllokoi LSDM-ja opozitare me arsyetimin se nuk kishin ku të uleshin dhe se nuk kishin kushte për punë. Ndërkohë huamarrja e re mori mbështetjen e shumicës qeverisëse dhe shkon në seancë plenare./Alsat.mk.








