Gazetar: Suad Bajrami
Opozita e kritikoi fjalimin vjetor të presidentes Gordana Siljanovska Davkova. Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe duke paralajmëruar krizë dhe izolim, theksoi që presidentja zgjodhi të qëndrojë mbrapa VMRO-DPMNE-së dhe jo mbrapa shumicës së qytetarëve që duan integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“U konfirmua se kjo qeveri, ndërsa sot presidentja dha mbështetje, e udhëheqë Maqedoninë drejtë izolimit dhe se rrëfimi ynë evropian për ne ka mbaruar. Nuk do të ketë kurrfarë reforma dhe vijon krizë e madhe. Më vjen keq që presidentja nuk qëndroi mbrapa shumicës së qytetarëve që duan këtë vend ta shohin të integruar tërësisht në Evropë”, deklaroi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
Pakënaqësi për fjalimin e presidentes shprehën edhe opozita shqiptare. Koordinatorja e Frontit Evropian, Rina Ajdari theksoi që presidentja shfaqi qëndrime të VMRO-DPMNE-së, në vend që të përfaqësojë të gjithë qytetarët.
“Përmbajtja e fjalimit të kryetares së shtetit ishte në vijë me politikën e cila është në pushtet. Nuk dëgjuam, përmendi diçka për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, por jo në aspektin e asaj që ne si komunitet më i madh shtetformues në vend kërkojmë të pozicionohemi, praktikisht të zbatohet Marrëveshja e Ohrit edhe të kemi pozitën atë çfarë na takon si qytetarë të barabartë në Maqedoninë e Veriut”, tha Rina Ajdari, Koordinatore e Frontit Evropian.
Kritika pati edhe partia E Majta, e cila theksoi që fjalimi nuk kishte vizion, por vetëm floskula që dëshmojnë paraqitje të agjendës politike të VMRO-DPMNE-së, në vend të gjithë qytetarëve.
Për dallim prej opozitës, fjalimin e përshëndeti VMRO-DPMNE apo partia nga e cila vjen Siljanovska. Deputetit Milloshoski e vlerëson qasjen e presidentes ndaj dialogut për eurointegrime, e cila gjatë fjalimit sot u caktoi kushte BE-së dhe Bullgarisë, si kundërpërgjigje për kërkesën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese.
“Ajo që është me rëndësi të theksohet është qëndrimi i saj parimor i cili përputhet me mendimin e shumicës së qytetarëve. Ai është se orientimi ynë janë integrimet evropiane dhe nuk kemi mëdyshje rreth qëllimit, por njëkohësisht me imponimin e çështjeve bilaterale jashtë kritereve të Kopenhagës, mëdyshja është pasiguria e rrugës deri te qëllimi”, u shpreh Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Për fjalimin e presidentes, nuk pati reagim nga Koalicioni VLEN. /Alsat.mk








