Opozita në Shqipëri proteston brenda dhe jashtë Kuvendit

Opozita në Shqipëri proteston brenda dhe jashtë Kuvendit

Me thuajse të njëjtin skenar si të tri ditëve më parë, opozita në Shqipëri protestoi para Kuvendit, por edhe brenda në seancën plenare.

Mbështetës të opozitës u mblodhën para Kuvendit, ndërsa deputetë të opozitës u përplasën me punonjës të Gardës së Republikës që nuk lejuan deputetët e Partisë Demokratike, të përjashtuar nga seanca, të hynin në ambientet e Kuvendit.

Listës prej tetë deputetësh të përjashtuar më herët iu shtuan edhe tre demokratë të tjerë, mes tyre kreu i kësaj partie, Sali Berisha, dhe deputetët Belind Këlliçi dhe Edi Paloka.

Në sallën e Kuvendit, deputetët e opozitës bllokuan sërish foltoren, në shenjë proteste për 12 deputetët e përjashtuar, si dhe për mungesën e kryeministrit Edi Rama.

Në seancë mungoi edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, shkarkimin e së cilës e kërkon opozita me pretendimin se nuk po zbaton rregulloren, referuar masave të ndërmarra për përjashtimin e disa deputetëve demokratë nga seancat plenare.

Mes bllokimit të foltores herë pas here, si dhe zhurmës së bilbilave, në seancë u debatua për rastin “McConigal”.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin, Elisa Spiropali, tha se e gjithë kjo zhurmë që bën opozita në Kuvend është frika e Berishës nga hetimet për 21 janarin.

Replika e kreut të PD-së, Sali Berisha, erdhi nga ambientet jashtë Kuvendit, duke iu bashkuar protestuesve, pasi Kuvendi mori vendimin që mocioni për debat me kryeministrin shqiptar, Edi Rama të mbahet më 2 mars.

“Ai nuk pranon të vijë këtu. Atëherë ne do shkojmë atje ku struket ai. Surreli (zona ku banon kryeministri Edi Rama) do të jetë objekt i revolucionit paqësor. Shkojmë ne më 2 mars atje, sepse revolucioni nuk ndalet, por të jeni të sigurt se do të fitojmë”, tha Berisha.

Ai akuzoi edhe ambasadorët e huaj në Shqipëri duke u shprehur se shumë prej tyre janë “McGonigalë të veshur me imunitet diplomatik”.

Protesta para Kuvendit zgjati rreth dy orë e 30 minuta.

Edhe kësaj here protestuesit hodhën flakadanë dhe kapsolla, por nuk pati përplasje me forcat e policisë.

Rreth 1.000 efektivë ishin të pranishëm për të mbikëqyrur protestën e opozitës.

Aksioni politik i radhës, sipas kreut të PD-së, do të jetë më 2 mars nëse kryeministri Rama nuk paraqitet në seancë për t’iu përgjigjur pyetjeve të opozitës për rastin Mcconigal.

Para se të caktohej kjo seancë (e 2 marsit), Berisha ka deklaruar se opozita do të mbajë një protestë kombëtare më datë 3 mars, kur pritet të jepet vendimi i gjykatës së Apelit për vulën dhe logon e PD-së.

Berisha akuzon kryeministrin Rama se për të asgjësuar opozitën, ka korruptuar ish-zyrtarin e lartë amerikan të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Charles McConigal, i dyshuar si i përfshirë në një aferë prej 225 mijë dollarësh, që dyshohet t’i jenë dorëzuar nga një shtetas shqiptaro-amerikan.

LEXO EDHE:

Back to top button