OSBE: Regjistrimi i popullsisë, i nevojshëm

“Pasi vendi 20 vite nuk ka regjistrim të popullsisë, realizimi i tij tani është operacion shumë i rëndësishëm statistikor për Maqedoninë e Veriut”. Kështu ka deklaruar në intervistë për MIA-n, Klemens Koja, kreu i Misionit të OSBE-së në Shkup. Ai ka theksuar mes tjerash se është inkurajues fakti që disa nga partitë e opozitës, mbështetën miratimin e Ligjit të Regjistrimit, edhe pse nuk kishte konsensus të plotë.

 “Pas gati 20 vitesh, është e rëndësishme që vendi të kryejë një regjistrim, pasi ai do t’u mundësojë institucioneve qeveritare të zhvillojnë dhe zbatojnë politika për përfitimin e qytetarëve bazuar në të dhëna të azhurnuara. Sipas mendimit tim, ligji është përgatitur sipas praktikave dhe standardeve më të mira të institucioneve të ndryshme me kompetencë në këtë fushë, siç janë Komisioni Ekonomik i OKB-së për Evropë dhe Eurostat- deklaroi Klemens Koja, OSBE – Shkup.

 Ambasadori Koja thotë se shumë shtete anëtare të OSBE-së po planifikojnë regjistrim këtë vit, ndërsa thelbësore në pandemi do të jetë sigurimi i shëndetit i gjithë atyre që janë të përfshirë në kryerjen e regjistrimit. Megjithatë opozita maqedonase mbetet në qëndrimin për mos realizimin e regjistrimit. Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski përsëri deklaroi se regjistrimi mund të bëhet në mënyrë elektronike, me kryqëzimin e të dhënave nga bazat e institucioneve.

 “Nëse vendosin edhe me dhunë, pa konsensus politik, politikisht ta ecin gjithë situatën, le t’i kursejnë ata para, lërini aktivistët partiak të LSDM dhe BDI-së, nuk ka nevojë t’i stimuloni me nga 300-400 euro, që të dalin në terren e të regjistrojnë diçka e cila mund të bëhet nëse krahasohen bazat e të dhënave të cilat i kanë institucionet me saktësi prej 95%. 5% janë ata qytetarë që duhet të vizitohen në terren dhe personalisht- pohoi Hristijan Mickovski, VMRO-DPMNE.

Nga pushteti mbesin në qëndrimin se këtë vit duhet regjistrimi të mbahet patjetër. Kryeministri Zaev tha se mund të pajtohet me propozimin e presidentit Pendarovski, që regjistrimit të shtyhet për një ose dy muaj, për mbrojtje më të madhe nga virusi dhe për të arritur konsensus me opozitën. Ndërsa deputeti i shumicës Zekir Ramçilloviq deklaron se kërkesat e opozitës për anulim të regjistrimit bëhen vetëm për pikë politike.

 Mendoj se kërkesa e VMRO-DPMNE-së nuk është e bazuar në atë që duhet, edhe pse ka disa çështje thelbësore që mund të diskutohen, siç janë ato në aspekt të pandemisë e të ngjashme, megjithatë ajo që ndodh në plan politik ditor në Maqedoni, nuk ka luftë thelbësore, por vetëm për pikë politike ditore- tha Sinkron: Zekir Ramçilloviq, deputet.

Qytetarët boshnjak në vend kanë formuar edhe “Trup koordinues të boshnjakëve për regjistrim 2021”, me qëllim të ngritjes së vetëdijes së komunitetit boshnjak që të regjistrohet.

Regjistrimi në terren do të bëhet nga 1 deri më 21 prill. Të dhënat do të kryqëzohen me të dhënat e 10 institucioneve dhe të dhënat e rreme ose të paplota nuk do të pranohen. Regjistrimi elektronik i diasporës do të bëhet nga 1 marsi deri më 21 prill.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button