Osmani: 90% e serbëve të Kosovës i konvertuan targat e automjeteve në RKS

Osmani: 90% e serbëve të Kosovës i konvertuan targat e automjeteve në RKS

Presidentja Vjosa Osmani tha se ka pasur mjaftueshëm afat që serbë t’i konvertojnë targat e veturave të tyre në RKS. Këtë shefja e shtetit e tha kur iu kërkua përgjigje lidhur me kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ky afat të mos përfundojë në fund të këtij muaji, siç është paraparë, por të shtyhet edhe për 10 muaj.

“Çështja e targave mbi të gjitha është çështje e sundimit të ligjit, sepse mbi 90% e serbëve që jetojnë në Kosovë tashmë i kanë konvertuar targat e së kaluarës në targa të ligjshme”, tha fillimisht Osmani. “Pra, e kanë respektuar ligjin dhe njëkohësisht kanë kontribuar në sundim të ligjit dhe në trajtim të të gjithëve në mënyrë të barabartë para ligjit”, shtoi ajo.

Osmani tha se konvertimi i targave është në përputhje me legjislacionin vendor dhe praktikat ndërkombtare.

“Sa i përket një pakice të vogël që nuk i kanë konvertuar ende targat dhe i përdorin targat e kohës së Millosheviqit, kërkesa jonë është që të respektohet ligji. Ka pasur afat të mjatueshëm që ky konvertim të bëhet për këtë numër të vogël të qytetarëve që nuk e kanë bërë, në përputhje të plotë me atë që e kërkon legjislacioni vendor, por edhe praktikat ndërkombëtare”, tha ajo.

Presidentja mori shembull Poloninë, sikur aty 20 vjet pas luftës të qarkullonin ende automjete me targa të kohës së Hitlerit.

Të kesh automjet me targa të kohës së Millosheviqit si qytetar i Kosovës, Osmani tha se është “jo vetëm e paligjshme”, por “edhe e pamoralshme”.

Emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të mërkurën e vizitoi Kosovën dhe tha se i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë edhe për 10 muaj afatin për konvertimin e targave.

LEXO EDHE:

Back to top button