Osmani: Deklarata e Radevit është provokim
Osmani: Deklarata e Radevit është provokim
Gazetare: Fatlume Dervishi
Deklarata e presidentit bullgar Rumen Radev i cili tha se nuk do të lejojë legjitimimin e maqedonizimit në BE, për ministrin e Jashtëm Bujar Osmani është provokim, shkruan Alsat.
Ai tha se vendi nuk duhet të bie pre e provokimeve të tilla të cilat kanë qenë shumë të zakonshme në fillim të procesit dhe fatkeqësisht janë kthyer përsëri në të njëjtën pikë.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që këto ditë dhe këto javë të jemi të kujdesshëm të mos biem pre e provokimeve të cilat kanë për qëllim edhe të jemi të bllokuar, edhe të jemi fajtorë për këtë. Qëllimi jonë është edhe të zhbllokohemi, edhe të ndërtojmë raporte korrekte me Bullgarinë. Ashtu do të vazhdojmë edhe në periudhën e ardhshme dhe kuptohet provokimet e tilla i hedhim poshtë dhe i dënojmë”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Në tavolinë është propozim i mirë, që bullgarët të përfshihen në Kushtetutë para anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, thotë Osmani. Shkupi pret konsolidimin e qëndrimeve në qeverinë bullgare. Qeveria nuk e arsyeton këmbënguljen që negociatat me BE-në të bazohen në zhvillimet historike.
“Integrimi jonë evropian bazohet në bisedime për historinë gjë që e shoh se e arsyetojnë të gjitha vendet e BE-së, gjë që sipas meje është e gabuar sepse kur flitet për historinë nuk premtohet asgjë por vetëm flitet për diçka që ka ndodhur pra 100-150 vjetësh. Ky është shantazh klasik”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeminsitër.
Krerët e shtetit bullgar nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Forumin e Prespës i cili do të mbahet në qershor, ku do të marrin pjesë përfaqësues të shteteve të rajonit dhe të institucioneve të BE-së dhe SHBA-së. /Alsat.mk








