Osmani: Katari, rol të rëndësishëm në mbështetjen e Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu është takuar me kryeministrin e shtetit të Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al Thani gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Dohas.
Presidentja ka vlerësuar lartë marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve tona. Në kontekstin e Forumit të Dohas, Osmani ritheksoi përpjekjet e përbashkëta të Kosovës dhe Katarit si dy vende paqedashëse, gatishmërinë për t’i adresuar sfidat bashkëkohore.
“Presidentja falënderoi kryeministrin për mbështetjen ndaj Kosovës që nga paslufta, duke përfshirë realizimin e projekteve të ndryshme të financuara nga populli dhe shteti i Katarit. Po ashtu, presidentja Osmani shprehu gatishmërinë e institucioneve tona të thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me shtetin e Katarit”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Presidentja -vijon komunikata- vlerësoi rolin e rëndësishëm të Katarit në mbështetjen e Kosovës në iniciativa të ndryshme ndërkombëtare. Ajo potencoi nevojën për të avancuar bashkëpunimin diplomatik duke u anëtarësuar edhe në organizata ndërkombëtare në të cilat akoma nuk jemi të përfaqësuar si dhe duke e rritur numrin e njohjeve për pavarësinë e Kosovës.








