Kosova firmosi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Kosova firmosi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Krerët shtetërorë të Kosovës nënshkruan letrën e kërkesës së aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presidentja Vjosa Osmani tha se kjo është një ditë historike. Ajo theksoi se Kosova e meriton të jetë pjesë e familjes së BE-së.

“Po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive. Për Kosovën nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër, por ëndrrat bëhen realitet vetëm kur veprohet. Procesi mund të jetë afatgjatë, por ne jemi të vendosur të ja dalim me sukses. Do të bëjmë punën tonë në mënyrë që Bashkimi Evropian të ketë sa më të lehtë të bëjë pjesën e vet”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti theksoi se progresi do të varet nga përkushtimi për reforma të thella dhe transformuese.

“Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne, prandaj angazhimi të gjithëve është i nevojshëm dhe përkushtimin i secilit i domosdoshëm. Pengesat dhe sfidat i kalojmë me zhvillim demokratik”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se Bashkimi Evropian është i plotë vetëm kur të gjitha kombet evropiane janë pjesë e këtij bashkimi.

“Ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian, rrugë që ishte e gjatë dhe aspak e lehtë. Ne meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe të fillojmë rrugëtimin drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian”, u shpreh Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Dorëzimi i aplikimit për anëtarësim pritet të bëhet më 15 dhjetor në Pragë të Çekisë, shtetit që aktualisht kryeson bllokun evropian. Kosova deri më tani ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Nga 27 shtetet anëtare të bllokut, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Shtetet mosnjohëse janë: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia. Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllok, pasi deri më tani kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria gjatë këtij viti nisën procesin e bisedimeve, ndërkaq Bosnjë-Hercegovina këtë javë ka marrë statusin e vendit kandidat. Kosova po ashtu është shteti i vetëm që nuk ka liberalizim të vizave me BE-në./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button