Osmani: Sinjale në VMRO për ndarje ideologjike

Osmani: Sinjale në VMRO për ndarje ideologjike

" "

Gazetar: Mefail Ismaili

Qeveria do të dorëzojë ndryshimet kushtetuese në Kuvend kur do të shteren të gjitha përpjekjet për konsensus. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani nuk dha afate konkrete se kur ndryshimet do të dorëzohen në institucionin ligjvënës. Sipas Osmanit, në VMRO-DPMNE tashmë ka njerëz që janë në linjë ideologjike që mbështesin ndryshimet kushtetuese. Shefi i diplomacisë thotë se do të takohet me deputetë dhe zyrtarë të VMRO-DPMNE-së për t’i bindur dhe jo për t’u bërë presion që të mbështesin ndryshimet kushtetuese.

“Do të thotë se ka njerëz në VMRO-DPMNE sipas informatave të mia, sipas informatave tona se me këmbëngulje argumentojnë se nuk guxojmë ta lëshojmë mundësinë që tani në Kushtetutë të bëhet krahasimi i qartë se bullgarët janë këtu pakicë. Do të thotë një linjë ideologjike e plotë në VNMRO-DPMNE të cilët i kuptojnë pasojat nga izolimi i vendit dhe hyrja në korsinë e dytë”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Por deputeti i VMRO-DPMNE-së Dragi Kovaçki tha se deklaratat e Bujar Osmanit nuk janë të vërteta, por manipulime për të defokusuar opinionin nga krimi i BDI-së.

“Ajo a ka linjë nga Komiteti ekzekutiv që i bind deputetët mendoj se është skajshmërish joserioze që të thuhet pasi ne të gjithë e dimë shumë mirë se cilat janë qëndrimet tona dhe se do të mbesim në qëndrime. Bujar Osmani dhe BDI duhet të shohin pak në oborrin e tyre pasi tek ata ka një linjë që nuk e mbështet udhëheqjen, nuk pajtohen me krimin e udhëheqjes aktuale dhe të mos bëjnë përpjekje për de fokus nga problemet personale duke u përpjekur për të bërë probleme atje ku nuk ka.”, u shpreh Dragi Kovaçki, VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër lidhur me zëvendësimin e 20% me shqipen në Kushtetutë, Osmani vlerëson se tani nuk është koha, duke u arsyetuar me luftën në Ukrainë si dhe me ndikimin rus, i cili sipas tij mund të shfrytëzojnë momentin për të shkaktuar incidente.

“Ne vlerësojmë se nuk duhet tani të jemi arsye ose alibi për këta të cilët duan që Maqedonia e Veriut të izolohet nga integrimi i BE-së, të bëhet vend i lëndueshëm për ndikime nga jashtë, përfshirë këtu edhe ndikimet ruse, në një kontekst kur kemi luftë në Evropë, e pastaj dikush të përfitojë në dëm të interesit edhe ton si shqiptar edhe si maqedonas edhe si Maqedoni e Veriut”, shtoi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Ndaj këtij qëndrimi të Bujar Osmanit ka reaguar deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli. Ai thotë se për BDI-në dhe Bujar Osmanin nuk është e rëndësishme gjuha dhe vlerat e shqiptarëve. Sipas Zendelit, qëndrimet e këtilla të zyrtarëve të BDI-së dëshmojnë se janë të pafuqishëm për të kushtëzuar LSDM-në për gjuhën shqipe pasi janë të përfshirë në krim dhe korrupsion. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button