Pacientë të operuar pa nevojë, zbulojnë ekspertët

Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Nëntë pacientë u janë nënshtruar ndërhyrjeve të panevojshme kirurgjike për sëmundje të zemrës. Këtë e ka konstatuar komisioni i përbërë nga ekspertë të huaj. Pas shqyrtimit të dokumentacionit mjekësor, komisioni ka evidentuar parregullsi dhe shmangie të standardeve profesionale të trajtimit. Nga 13 rastet e analizuara, vetëm katër janë vlerësuar si të kryera në përputhje me procedurat, ndërsa në rastet e tjera janë ngritur dyshime për ndërhyrje kardiologjike të pajustifikuara. Pacientët e përfshirë kanë qenë të moshës nga 45 deri në 78 vjeç.

“Nga gjithsej 13 lëndë të analizuara në lidhje me dyshimet për operacionet të kryera pa nevojë ose për udhëzime të panevojshme për operacione…14:30 për nëntë pacientë sipas ekspertëve të huaj, dokumentacioni tregon rezultate të dyshimta gjatë evaulimit diagnostik p.sh mospërputhje ndërmjet rezultateve angeografike nga koronografia dhe raporte të shkruara, pas së cilit ka pasur indikacione të papërshtatshme për procedura qoftë endokrinovaskulare apo kirurgjikale”, deklaroi ministri i shëndetësisë, Azir Aliu.

Rastet e analizuara në kuadër të hetimit lidhen me intervenime të kryera në institucione publike dhe private shëndetësore, ku në tre prej tyre janë konstatuar lëshime më serioze, një në sektorin publik dhe dy në sektorin privat.

“Rastet e analizuara kanë të bëjnë me intervenime dhe procedura të realizuara në institucione shëndetësore të sektorit publik dhe privat, si: “Klinika Universitare Kardiologjike”, “Klinika Universitare Kardiokirurgjikale”, “Spitali Klinik i Shtipit”, “8 Shtatori”, “Kardio Art- Shtip”, Spitali Klinik “Zhan Mitrev” dhe Spitali Klinik “Aci Badem Sistina” në Shkup”, tha ministri i shëndetësisë, Azir Aliu.

Dokumentacioni për rastet e dyshuara do të dorëzohet në  Qeveri, Prokurori, Odën e Mjekëve, Inspektoratin Sanitar dhe Shëndetësor, Fondin e Sigurimit Shëndetësor dhe Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit. Paralelisht po rishikohen protokollet për ndërhyrjet kardiokirurgjike dhe është formuar një ekip i ri nëntë anëtarësh nga sektorët publikë dhe privatë për shqyrtimin e rasteve komplekse dhe hartimin e një liste kombëtare për kardiokirurgji./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button