Pacientët vërshojnë te spitali “8 Shtatori”, masat antiCOVID nuk respektohen

Turmë të pacientëve para hyrjes së ambulantes për Covid në Spitalin “8 Shtatori”.

Disa presin për të marr rezultatet e analizave, të tjerët rrinë në distancë, por masat mbrojtëse nuk janë të mjaftueshme në këto rrethana kur jo të gjithë pacientët janë të diagnostikuar pozitiv. Rreziku për përhapje të infeksionit është i madh, pikërisht këtu ku pritet për diagnostikim. Qytetarët thonë se nuk janë testuar, por tërë ditën presin një rezultat të pasqyrës së gjakut dhe rëntgenit për të parë nëse janë të infektuar apo kanë vetëm ftohje të gripit sezonal.

“Kjo është hera e tretë që po vij, isha në fillim dje isha përsëdyti në kontroll kjo është hera e tretë që vij të shoh rezultatet si janë. Ky është një problem i dyanshëm, duhet të ketë edhe punkte tjera nëse ka mundësi të qelën edhe 2-3 pika tjera që të shkarkohet rrëmuja”

Mjekët nga brenda thonë se e kanë të pamundur ti bëjnë ballë të gjitha kërkesave, duke e hedhur faji edhe tek mjekët amë. Ata prapa kamerave na thanë se mjekësia familjare heq barrën prej pacientëve me simptoma dhe pa i bërë kurrfarë ekzaminimi iu japin udhëzime për te ta.

“Edhe dje nga mëngjesi edhe sot që herët jam duke pritur por nuk arrij në rend ndonëse kam numër rendor. Nuk e di pse bëhet kështu, pyesni ata. Edhe mjekët edhe infermierët u mbytën nga puna por ja nuk arrihet. Organizimi apo diçka tjetër nuk po ecën ashtu siç duhet.”

Ndonëse një tendë është ngritur për të mos pritur në të ftohtë, qytetarët nuk presin aty sepse druajnë që mund të infektohen në ambient të mbyllur. Por, durimin e kanë humbur nga pritja dhe ia mësyjnë derës së ambulancës. Nuk do shkojnë në shtëpi me frikë se do ti infektojnë familjarët. “Unë dje isha në kontroll prita 3-4 orë sepse katastrofë kishe radhë. Sot na thanë të vijmë të marrim rezultatet por sërish kishte turmë dhe nuk arrijmë dot në radhë.”

Megjithëse edhe në qytetet tjera ka grupime të tilla të pakontrolluara, në Shkup vërehet fluks më i shtuar përpara ambienteve ambulantore për kovid ekzaminime. Rendi nuk mbahet as nga uniformat.

“Përderisa atje krijohen radhë të gjata në pritje të marrjes së ekzaminimeve të duhura për kovid apo ata që janë të dyshimtë për virusin korona, policia dhe ushtria sodisin nga distanca dhe nuk janë në gjendje të mbajnë rendin dhe qetësinë.”

Drejtori i Spitalit Hristijan Kostov shpjegoi se në këtë situatë po vihet në rrezik shëndeti i pacientëve dhe i personelit mjekësor nga që mjekët amë japin numër të shumtë të udhëzimeve me prioritet.

Në shërbimet ambulantore të këtij spitali trajtohen mbi 200 pacientë në ditë. Përveç kurimeve ditor, në këtë spital ka të shtruar edhe 107 pacientë, për të cilët shpenzohen nga 2 ton në ditë oksigjen. E kanë të domosdoshme oksigjeno terapinë, ata të cilët kurohen me pasqyrë të mesme dhe të rëndë klinike. Vetëm 3 shtretër janë të lirë nga 110 sa ka kapacitet për kurim të pacientëve me CoVid-19.

Përgatiti: Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button