Padia, Tramp planifikon të dorëzohet vetë
Padia, Tramp planifikon të dorëzohet vetë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, planifikon të dorëzohet më 24 gusht në Atlanta lidhur me padinë që i është ngritur në Xhorxhia me akuzat se ai tentoi të përmbyste humbjen e tij në Xhorxhia në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Këtë e ka bërë të ditur vetë Trump në rrjetin e tij social. “Unë do të shkoj në Atlanta të Xhorxhias të enjten për t’u arrestuar”, tha ai.
Trump i cili po garon për t’u zgjedhur sërish president i SHBA-së në vitin 2024 e përshkroi padinë si përpjekje të motivuar politikisht për ta dëmtuar fushatën e tij zgjedhore. Në një aktakuzë prej 98 faqesh, të zbuluar javën e kaluar, Trump dhe 18 të pandehur të tjerë u akuzuan me gjithsej 41 akuza penale në lidhje me përpjekjet për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në Xhorxhia në vitin 2020 kur Trump humbi garën kundër presidentit aktual të SHBA-së, Joe Biden. Një tjetër aktakuzë, në Uashington, e akuzon atë për përpjekje të paligjshme për ta përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020. Prokurori i posaçëm Jack Smith ka kërkuar që gjyqi të nisë në janar, por ende nuk është caktuar një datë. /alsat.mk