Paga mesatare ulet për 500 denarë

Paga mesatare ulet për 500 denarë

Gazetar: Adnan Qaili

Paga mesatare mujore neto e paguar për punonjësit për janar 2024 ishte 39.542 denarë. Ndërsa paga mesatare bruto për muajin e njëjtë është 59.392 denarë, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikës. Krahasuar me muajin paraprak, përkatësisht dhjetorin e vitit 2023, paga mesatare në vend është ulur rreth 500 denarë. Rënie e pagës mesatare mujore krahasuar me një muaj më parë, është vërejtur në sektorin e ndërtimit -10.9%, industrinë përpunuese -4.9%, dhe tregtinë me shumicë e pakicë -3.8%. Kjo rënie edhe më tepër vështirëson standardin e jetesës, kur shporta e konsumit në këtë muaj për një familje 4 anëtar ka arritur në 1,210 euro me gjithë qiranë e banimit. Profesori, Lubomir Kekenovski thekson se korrupsioni politik ndikon në mos rritje të pagave nga njëra anë dhe në ngritje enorme të çmimeve për konsumatorët.

“Korrupsioni është një proces i qëllimshëm nga elitat politike dhe administrata duke ndërhyrë në tregun e lirë përmes organeve rregullatorë dhe ligjeve. Politikani e imponon atë si parim të korrupsionit që të hyjë në tregun e lirë, kjo manifestohet përmes policisë, doganierëve, gjykatave, prokurorisë apo përmes një të punësuari të thjeshtë. Ata janë që i diktojnë kushtet, të cilët nuk janë të prekur nga shtrenjtimi i shportës së konsumit. Nga rritja e çmimeve e pësojnë ata që kanë pensione 200-300 euro ose 300-400 euro paga. A mund ta shihni sa është përqindja e atyre nga 550 mijë të punësuar, 300 mijë pensionistë dhe rreth 100 mijë të punësuar në të zezë”, tha Lubomir Kekenovski, Profesor Universitar Ekonomik.

Nga ana tjetër vendimi për rritjen e pagës minimale ende nuk është publikuar në gazetën zyrtare dhe krahas saj ngec harmonizimi i pagave të rreth 60 mijë të punësuarve në sektorin publik, të cilët duhet ta kenë për 2,500 denarë më shumë pagën e marsit. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se autoritetet qëllimisht vonohen me vendimin për rritjen e pagës minimale.

“Bëhet fjalë për 2,500 denarë për punonjës në sektorin publik, krahas 2,500 euro paga të funksionarëve, të cilët do të tentojnë të manipulojnë me këtë ligj. Pas njoftimit nga Këshilli Socio-Ekonomik në Qeveri do të paraqitet në Gazetën zyrtare, të premten ose më së voni të hënën, pritet të hyjë në fuqi. Nëse nuk bëhet harmonizimi i pagave kjo do të jetë vepër penale, për të cilën do ta denoncojmë në prokurori”, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Llogaritjet e fundit të sindikatave treguan se një familjeje katër anëtarëshe i nevojiten rreth 59 mijë denarë për të mbuluar nevojat elementare të muajit. Në mars, në krahasim me shkurtin, shpenzimet janë rritur për më shumë se 1500 denarë, kryesisht te ushqimet dhe pijet. Çmimet në këtë pjesë ishin pothuajse nën kontroll me masën e ngrirjes, por qeveria vendosi ta ndalojë atë. Tani presim që ligji për praktikat e padrejta të tregtisë t’i zgjidhë problemet dhe deri atëherë qytetarët janë lënë në ndërgjegjen e tregtarëve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button