Paguajnë fatura të larta, marrin pak ngrohje

Gazetar: Adnan Qaili 

Për një banesë 100m2 në Shkup, një familje duhet të paguaj 4,500 denarë vetëm për ngrohej termike. Por, jo të gjithë janë të kënaqur me shërbimin që marrin krahas kostos mujore që u vijnë në fatura. Në zonën e Çairit e Butelit, ku mbulohet nga centrali i ngrohtores Shkup-Veri, ka aq pak amvisëri të kyçura sa që banorët janë përpjekur të gjejnë zgjidhje tjera për dimër. Thonë se vjen pak ngrohje në radiator.

Megjithëse jemi vetëm disa hapa larg nga centrali i ngrohtores Shkup-Veri, objektet për rreth saj nuk janë të kyçura për të shfrytëzuar energjinë termike. Disa thonë nuk është e përhapur infrastruktura e duhur, të tjerët thonë se është shumë shtrenjtë, andaj gjejnë alternativa tjera për tu ngrohur.

“Nuk jemi të lidhur! Është shumë shtrenjtë? Nuk e di, nuk jemi të lidhur askush në këtë ndërtesë. Nuk ranë në ujdi atëherë të lidhet e gjithë godina askush nuk pranoi dhe ashtu mbetëm pa ngrohje. Ajo tjetra ndërtesë kanë stacion lidhës por janë të shkyçur sepse askush nuk paguan”, tha një qytetar.

“Nuk jemi të lidhur a na kalon para ndërtesës. Ja është këtu ndërtesa tjetër matanë, këtu më kalon a unë nuk kam ngrohje termike. Ato janë ndërtesa të vjetra, në vend që ti rinovojnë, kanë ndërtuar këtu tjera të reja e ne nuk kemi asgjë, ngrohemi me furra druri, në çfarë tjetër të mundemi”, deklaroi një qytetare.

“Kur u ndërtua centrali ngrohjes, ne nuk kishim të instaluar gypat dhe së fundmi u bë shumë shtrenjtë dhe kështu mbetëm. Prej kur filloi sezoni ngrohjes më tepër janë të ftohtë radiatorët se sa të ngrohtë”, u shpreh një qytetar.

“Unë vij nga një qytet ku ka ngrohje qendrore termike para 50 vitesh dhe kur erdha në Shkup, bleva këtu banesë, gjëja e parë që pyeta për ngrohjen! Më thanë se do të bëhet. Dhe pastaj kuptova që nuk ka as nën stacione nuk ka asgjë nga ajo as pas 15 viteve”, theksoi një qytetar tjetër.

“Nuk ka gypa të vendosur në këto ndërtesa, unë për vete kam vendosur kondicioner. Me këto inverterët e rinj na bie shumë më lirë nga që harxhojnë më pak rrymë andaj shikojmë cila na leverdisë më tepër”, u shpreh një qytetar tjetër.

Edhe pse Elektranat e Maqedonisë morën në menaxhim Ngrohtoren Shkup-Veri, me subvencionimin e diferencës së çmimit të gazit dhe ngrohës nga Qeveria, sërish qytetarët e asaj zone do të paguajnë me çmimin e njëjtë, sipas tyre të lartë. Drejtori i EMV-së tha se nuk do të ketë ndryshim të çmimin për ato 500 amvisëri dhe 13 institucione publike të cilat janë konsumatorë të Ngrohtores Shkup-Veri.

“Ne e kemi marr vetëm menaxhimin, kjo nënkupton se marrëveshjet dhe faturat dhe çmimet mbeten të njëjta, nuk do të ketë ndryshim as plus e as minus. Kjo nënkupton që qytetarët edhe më tej do të marrin ngrohje termike me çmim të subvencionuar sepse diferenca e saj është shumë më e lartë se diferenca tek energjia elektrike”, deklaroi Vasko Kovaçevski, Drejtor i EMV-së.

Subvencionimi, përkatësisht mbulimi i dallimit të çmimit që ka krijuar KRRE në krahasim me koston reale të gazit natyror, qeveria e siguron, përkatësisht transferon mjetet te EMV. Që nga fillimi sezonit ngrohjes deri më 31 dhjetor për ngrohje termike në Shkup Qeveria ka ndarë 30,8 milion euro. Por për katër muajt e parë të vitit, për tri ngrohtoret që operojnë në kryeqytet, të mbikëqyrura nga EMV-ja do të bëjë shpenzime të tjera milionëshe, të cilat sërish duhet të mbulohen nga qeveria./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button