Palmer: Kurti dhe qeveria e tij absolutisht të gatshëm për t’u përfshirë në dialog

I dërguari Special i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Matthew Palmer, mes tjerash përgjatë vizitës në Serbi, është deklaruar përpara medieve edhe lidhur me përkushtimin e kryeministrit Albin Kurti karshi dialogut.

I pyetur nga mediumi serb N1 nëse vullneti për dialog vlen për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili më parë tha se bisedimet me Beogradin nuk ishin përparësia e tij, Palmer tha se “kishte përshtypjen se Kurti dhe qeveria e tij absolutisht të gatshëm për t’u përfshirë në dialog”.

Palmer foli edhe për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet dy palëve, për të cilën tha se pikat nuk i përcaktojnë SHBA’ja por Kosova e Serbia.

“Një marrëveshje zbërthehet në çdo gjë për të cilën të dy palët bien dakord. Dhe qëllimi ynë është të inkurajojmë palët të ulen së bashku, të tregojnë se cilat janë vijat e tyre të kuqe, çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjnë. Ne nuk përcaktojmë rendin e ditës, as nuk përcaktojmë rezultatin. Ata udhëheqin të gjithë procesin”, deklaroi Palmer.

Kurti, përgjatë fushatës elektorale, deklaronte se në bazë të matjeve të opinionit publik në terren, dialogu me Serbinë radhitej e “rëndësisë së gjashtë a shtatë”, andaj thoshte se nuk është prioritet i qeverisë së tij.

Mëpastaj, pasi mori pushtetin dhe u bë presion nga faktorët ndërkombëtarë drejt tij, deklaroi se do të tentojë të bëjë një konsesion që ta vendos dialogun në vendin e katër.

“Ne nuk duam ta evitojmë dialogun e ta nënçmojmë rëndësinë e tij, mirëpo konsiderojmë se qytetarët e Republikës së Kosovës na kanë zgjedhur për të sjellur drejtësi dhe punësim dhe natyrisht që është urgjente të merremi me pandeminë Covid-19. Në bazë të të gjitha matjeve të opinionit publik në Kosovë, kur i pyet qytetarët se çfarë rëndësie i jepni dialogut me Serbinë është zakonisht në vendin e gjashtë ose të shtatë, unë do të mund ta bëjë një konsesion dhe ta sjellë në vendin e katër pas drejtësisë, punësimit dhe pandemisë por nuk mund ta sjellë në top dy prioritetet”, deklaroi Kurti.

Shefi i ekzekutivit, përpara reformave në drejtësi e çështjeve të punësimit, do të merret me dialogun. Në mesin e qershorit, ai pritet të takohet me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy vendeve.

LEXO EDHE:

Back to top button