Pamje shqetësuese në Shkup: Kontejnerë të tejmbushur dhe rrugë plot mbeturina
Gazetar: Angel Dimovski
Higjiena në kryeqytet vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha për shkupjanët. Mbeturina nëpër rrugë, pluhur, kontejnerë të tejmbushur dhe të dëmtuar – pamja në qytet, sipas qytetarëve, është larg të jetë e kënaqshme.
„Është e tmerrshme, një nga qytetet më të pista. Gjithçka që kam vizituar jashtë vendit, kjo është katastrofë. Ka mbeturina kudo, problemi me qentë endacakë, asgjë nuk është zgjidhur në qytet,“ tha një qytetare.
„Ka disa pjesë të qytetit që janë të pista, ka kontejnerë nëpër rrugë,“ tha një qytetar.
Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë zgjidhje. Me donacion nga Banka Botërore në vlerë prej 4,2 milionë euro, shteti po siguron mekanizëm të ri për mirëmbajtjen e higjienës, ndërsa pothuajse 40 automjete do të dedikohen për Shkupin.
„Po blihen 49 automjete të llojeve të ndryshme që duhet t’i ndihmojnë Qytetit të Shkupit dhe komunave të tjera për përmirësimin e gjendjes së higjienës. Po blihen 17 automjete multifunksionale për mirëmbajtjen urbane të higjienës me vlerë totale prej 1,6 milion euro, dy automjete multifunksionale për mirëmbajtjen urbane të higjienës me mekanizmat përkatës në vlerë prej 283 mijë euro, 9 kamionë të specializuar në vlerë prej 982 mijë euro dhe 21 makina për pastrimin e rrugëve në vlerë prej 1,3 milion euro.“ – Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se procedura për furnizimin e kontejnerëve të ri ka përfunduar dhe ata do të vendosen në funksion brenda një muaji.
„Ka përfunduar procedura për furnizimin e 2.600 kontejnerëve të ri. Një numër që nuk është siguruar në dhjetë vitet e fundit në këtë përmasë. Janë blerë kontejnerë edhe më parë, por nëse i mbledhim të gjitha gjatë dhjetë viteve të fundit, nuk arrijmë në këtë shifër. Kjo ishte një nga problemet serioze në higjienën komunale, duke pasur parasysh se në shumë mikrolokacione të kryeqytetit mungojnë kontejnerët dhe për vite me radhë nuk janë zëvendësuar.“ – Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit dhe kryetar i BNJVL-së.
Aktualisht, për grumbullimin e mbeturinave në Shkup janë të angazhuara mes 50 dhe 60 automjete. Kryetari Gjorgjievski thotë se problemi kryesor është vjetërsia e mekanizmit, për shkak të së cilës numri i kamionëve funksionalë shpesh është ulur në vetëm 20 deri në 30.
Ai paralajmëroi gjithashtu ardhjen e katër automjeteve të reja dhe dy stacioneve të transferimit. Njëri do të vendoset në Gjorçe Petrov dhe do t’u shërbejë komunave Gjorçe Petrov, Karposh dhe Saraj, ndërsa tjetri do të vendoset në Gazi Babë.
Me vënien e tyre në funksion, kamionët do t’i transportojnë mbeturinat deri te stacionet e transferimit në vend që t’i çojnë drejtpërdrejt në Drisllë, gjë që pritet të kursejë kohë dhe resurse dhe të përshpejtojë grumbullimin e mbeturinave. /Alsat.mk









