Panchev: Veto bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut nuk dëmton interesat e shqiptarëve

Bullgaria vendosi veto për kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian sepse kushtet bullgare në të cilat këmbëngul Sofja, nuk janë përmbushur. Vendimi u bë i ditur gjatë së martës nga zyrtarët më të lartë bullgarë që kërkojnë respektimin e formulimit të gjuhës në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2017, udhërrëfyes me afate të sakta për zbatimin e marrëveshjes dhe tekst të qartë se pakica maqedonase në Bullgari nuk njihet.

Në lidhje me këtë çështje dhe mundësinë që edhe të dëmtohet edhe interesi shqiptar nga një vendim i tillë, KosovaPress bisedoi me albanologun bullgar Anton Panchev, që i nxitur nga mosmarrëveshjet lidhur me karakterin dhe me prejardhjen etnike të një pjese të madhe të popullsisë nga territoret e Maqedonisë së Veriut e shtynë që të botojë një përmbledhje faktesh në mënyrë që, siç thotë ai, të njihet e vërteta.

Panchev thotë për KosovaPress se Bullgaria nuk e mohon të drejtën e maqedonasve të kenë kombin, gjuhën, historinë, identitetin e vetë, porse shton se shteti i tij nuk do të lejojë kurrë të keqpërdoret historia dhe identiteti bullgar.

Sipas tij, Bullgaria është e detyruar të vërë veto mbi Maqedoninë e Veriut për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Bashkimit Evropian. Porse këmbëngulë se kjo nuk do të dëmtojë interesat e shqiptarëve.

“Kemi shumë mosmarrëveshje lidhur me identitetin, me historinë, me gjuhën, shkurtimisht Bullgaria duhet të mbrojë identitetin, historinë bullgare. Pretendimet që bëjnë në Shkup e shkatërrojnë historinë bullgare. Duke u bazuar në fakte të ndryshme, Maqedonia është krijuar në vitin ‘44-‘45, si një projekt serbo-komunist për ndarjen e popullit bullgar. Atëherë janë vrarë shumë bullgarë, mbi 20 mijë bullgarë vetëm në këto vite, janë burgosur në kampet dhe burgjet e ish-Jugosllavisë. Ne dëshirojmë që të njihet kjo e vërtetë”, thotë ai.

Ai tregon arsyen e vetos së Bullgarisë mbi Maqedoninë e Veriut.

“Bullgaria tani është e vendosur të vërë veto mbi Maqedoninë e Veriut për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Bashkimit Evropian sepse ka shumë keqpërdorime nga pala maqedonase, në këtë rast nga Maqedonia e Veriut, sepse po vidhen heronjtë, ngjarjet e rëndësishme nga historia e popullit bullgar”, thotë ai.

Panchev beson se Bullgaria i ka bindur shqiptarët për qasjen e saj pozitive ndaj tyre. Teksa thekson se veto bullgare nuk do t’i prekë interesat e shqiptarëve.

“E vërtetë është se historianët shqiptarë, por edhe shqiptarët në përgjithësi, e dinë të vërtetën, i dinë qëndrimet bullgare që bazohen mbi fakte, e kuptojnë se vetoja bullgare nuk do t’i prekë interesat e shqiptarëve në përgjithësi. Bullgaria gjithmonë e ka mbështetur edhe rrugën euroatlantike të Shqipërisë edhe Kosovën. Pra, bullgarët dhe shqiptarët kanë një lidhje të shkëlqyeshme, një miqësi të çiltër. Unë dhe kolegët e mi në institutin tonë gjithmonë bëjmë përpjekje që gjithmonë të dëgjojmë opinionin shqiptar, bëjmë bisedime e kështu me radhë, sepse opinioni i intelektualëve shqiptarë është shumë me rëndësi”, shprehet ai.

Albanologu dhe politologu bullgar thotë për KosovaPress se për gjithë këto problematika ekzistojnë dokumente që dëshmojnë se nuk ka pasur maqedonas etnik gjatë 3 shekujve të kaluar në Maqedoninë Veriore.

Ai shprehet optimist se Shkupi do të shënojë një kthesë pozitive, pasi sipas tij kontesti Shkup-Sofje është “qesharak”.
“Ne jemi të sigurt se edhe Shkupi do të shënojë një kthesë pozitive sepse kontesti Shkup-Sofje është një kontest deri diku qesharak. Ne dëshirojmë që qeveritarët në Shkup të pranojnë të vërtetën historike ose të prezantojnë dokumente të tjera me të cilën e mposhtin tezën bullgare, por dokumente të tilla nuk ekzistojnë. Të gjitha faktet dhe dokumentet dëshmojnë se maqedonas etnikë nuk ka pasur në asnjë moment historik. Në shekullin XVIII, XIX dhe në fillim të shekullit XX atje kanë jetuar shumë njerëz, shqiptarë, turq, grekë. Por, bullgarët, këta njerëz, stërgjyshërit e tyre kanë qenë bullgarë pa asnjë dyshim”, thekson ai.

Ndryshe, artikulli “Vlerësime për qëndrimin e Bullgarisë në lidhje me debatet historike dhe gjuhësore me Maqedoninë e Veriut” është publikuar në gjuhën shqipe, ka 10 faqe dhe është publikuar në revistën shkencore “Kërkimet historike në Maqedoninë e Veriut”./Kosovapress/

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button