“Viti i Ri”, shumë pak njerëz në tregje dhe dyqane

Rrugët e Shkupit në ditën e fundit të vitit dallojnë nga ato të viteve të kaluara. Më pak njerëz dhe më pak shitje nëpër dyqanet e Çarshisë së Vjetër. Tregtarët dhe qytetarët këtë e arsyetojnë me pandeminë dhe gjendjen e vështirë ekonomike që ka sjellë ajo.

“As nuk i vjen era, për shkak se vitet tjera më ndryshe ka qenë, kurse sot shihet situata, një pandemia një skamja. Skamja i ka bërë të gjitha”.

“Nuk ka popull, nuk ka para, varfëri. Unë kohë më të gjatë nuk kamë qenë në Bitpazar, sot dola të shëtis dhe me një fjalë dëshpëruese”.

“Mund të blihet por kush ka para, kush nuk ka para nuk mund të blejë. Sa për mua mund të blejë, çfarë të kërkojë fëmija, por kush nuk ka mundësi le ti mendohet. Ka dallim të madh, rreth 80 për qind ka dallim”.

Edhe në tregun e Bit Pazarit nuk ishte frekuentimi sikur vitet e kaluar. Tregtarë thonë se nuk mbajnë mend ndonjëherë të ketë pasur kaq pak lëvizje më 31 dhjetor.

“Shumë dobët është, asnjëherë nuk e mbaj mend kështu, tash sa vjet jam në Pazar nuk e mbaj mend. prej koronës frikohen njerëzit të dalin shumë në Pazar. A janë çmimet reale, njerëzit a mund ti ballafaqojnë ose?. Jo, sidomos tani jo. Kjo 25 denarë, kjo 20 denarë është shtrenjtë për neve. Ndërsa të ardhura nuk kanë prej askund”.

“Dallimi është i madh, e shihni vetë, nuk ka klient sepse Covidi bën të vetën. Shpresojmë të kalojë sëmundja e të fillojmë të punojmë siç punonim. Por tani për tani dobët. Dallimi është i madh, tregtarët në këtë do të kishin shitur e harxhuar diçka, por nuk ka, ja që nga mëngjesi vetëm pesë lakra”.

“Shkaku i epidemisë, pazari është dobësuar shumë, pasi siç dihet çdo e dyta shtëpi ka ndonjë të sëmurë nga Covid19. E sado që të ketë shitje ne nuk do të jemi të lumtur, pasi çdo ditë nga një rast vdekje ose të sëmurë e të infektuar. Pazari po shihet edhe vet se nuk ka njerëz, shkaku i financave, edhe problemet çdo familjar i ka”.

Qytetarët dhe tregtarët, urojnë që viti i ardhshëm të ketë sa më shumë zhvillim dhe punë, ndërsa pandemia të marr fund për gjithmonë.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button