Pandemia, rrëmujë para qendrave për punë sociale

Turma, shtyrje dhe qytetarë të nervozuar. Kjo është pamja nga Qendra për punë sociale në komunën e Butelit. Kolona të tilla janë përditshmëri në këtë institucion, veçanërisht kur masat parandaluese kundër virusit korona janë në fuqi. Disa nga qytetarët thonë se kanë pritur me ditë të tëra për të kryer punë. Përkundër numrit të rritur të të infektuarve, një pjesë e mirë e qytetarëve edhe më tej nuk i respektojnë masat mbrojtëse. Që problemi të jetë edhe më i madh, në derë nuk ka sigurim kurse në institucion punonte vetëm një sportel. Përveç banorëve të Butelit, në këtë pikë gjithashtu zgjidhen çështje dhe probleme lidhur me çështjet sociale edhe për qytetarët e Çairit.

“Po pres vërtetim, isha para një jave, njësoj ishte kështu rrëmujë, atëherë mbarova punë. Tani pres vërtetim të ri”

“Po vij katër- pesë ditë, por s’mund të përfundoj punë. Vij deri në derë dhe më dëbojnë. Mbyllen brenda dhe thonë- ik, largohu”

“Presim nga 5 orë dhe në fund s’mund të nxjerrësh dokumente. Presim për ndihmë sociale. Në dhjetor i kam dorëzuar dokumentet dhe ende nuk është zgjedhur lënda”

Përveç në Butel, turmë të madhe takuam edhe përpara zyrave të Fondit të sigurimit shëndetësore në qendër të Qytetit. Por, të paktën këtu kishte sigurim që nuk lejonte të krijohen turma para hyrjes së institucionit.

“Lëshojnë nga dy pasi thonë që ka rrëmujë brenda”

Drejtoresha e Qendrës ndër-komunale për punë sociale të Qytetit të Shkupit, Natasha Stanojeviq, tha për Alsat se qendrat për punë sociale punojnë me kapacitet të plotë. Sipas protokolleve, pritja e palëve bëhet në sportel dhe për shkak të hapësirës së kufizuar, një punëtor profesionist punon dhe pranohet vetëm një palë.

Qendra ndër- komunale për punë sociale, Qyteti i Shkupit:

“Palët presin sepse shumë njerëz nuk dinë të plotësojnë aplikacionin, kështu që këtë e bën punonjësi profesionist. Gjithashtu, deri më 15.10.2020 ishte afati i fundit për të aplikuar për shtesë arsimore për të gjithë përfituesit që kanë fëmijë në arsimin fillor dhe të mesëm”

Përveç turmave para institucioneve shtetërore, radhët para bankave në mbarë vendin janë bërë të zakonshme. Edhe pse Shoqata e bankave pretendon se punojnë në përputhje me protokollet e Qeverisë dhe respektojnë masat për parandalim, tani për tani sektori bankar nuk merr vendim të punojë në dy ndërrime, në mënyrë që qytetarët t’i kryejnë më shpejt obligimet e tyre.

 

Ile Petreski

LEXO EDHE:

Back to top button