Pandemia zbraz “tryezën e Ramazanit”

Nesër nis muaji i Ramazanit. Besimtarët mysliman do të agjërojnë 30 ditë. Ndryshe nga vitet e tjera sot kishte më pak fluks nëpër tregjet e vendit. Qytetarët dhe tregtarët thonë se  një gjë e tillë është si rezultat i krizës së shkaktuar nga pandemia.

“Ardhja e Muajit të Ramazanit e ka rritur qarkullimin në tregun e Bit-pazarit, mirëpo nuk do të thotë se është rritur edhe shit-blerja. Kjo për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia.”

Qytetarët thonë se shumica nuk kanë mundësi të blejnë produktet ushqimore për të mbushur tryezën e Ramazanit. Thonë se çmimet janë të larta ndërsa pagat janë të ulëta. Kjo ka bërë që edhe atmosfera festive të jetë më e zbehtë.

“Nuk mbërrin, 100 denar një litër vaj, çfarë të mbërrimë, dikush merr pension 9 mijë, 11 mijë, 12 mijë denarë, ndërsa ndër 30 mijë denarë është e kotë edhe pse edhe ajo është e pakët…”

“Çmimet e shtrenjta , por ç’të bëjmë, rrogat e vogla çmimet e shtrenjta por çka me bo… Edhe ne të jetojmë edhe ndonjë ditë ashtu me vështirësi”.

“Nuk ka atmosferë, ndoshta shkaku i Covidit, por nuk ka atmosferë si përpara. Vështirë, shumë njerëz nuk kanë për të blerë. Domatet, specat janë shtrenjtë për neve”

Shitësit deklarojnë se qytetarët mendohen gjatë para se të blejnë ndonjë produkt, ndërsa blejnë sasi të vogla dhe produktet më të domosdoshme. Thonë se kjo situatë i dëmton rëndë edhe tregtarët.

“Në krahasim me vitin e kaluar nuk duhet të hanë hiç sepse nuk ua mbërrin rroga aspak. Rroga minimale 15 mijë denarë. Ku ti çojnë 15 mijë denarë popullata”.

“Çmimet janë shtrenjtë, domatja 90-100, sallata 60, specat 80-100 denarë… Festa kur është më ndryshe, ka lëvizje më shumë… por populli nuk kanë para…”

Agjërimi për besimtarët myslimanë fillon nesër dhe do të zgjasë deri më 12 maj.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button