Parakusht i ri për të udhëtuar në zonën Shengen

Parakusht i ri për të udhëtuar në zonën Shengen

Gazetar: Lluka Andreev

Nga nëntori pritet që të fillojë të funksionojë i ashtuquajturi Sistem ETIAS, për udhëtime në 30 vende – ato të zonës Shengen, si dhe në Islandë, Norvegji dhe Zvicër. Çdo qytetar i Maqedonisë së Veriut, për të hyrë në këto vende fillimisht duhet të regjistrohet në mënyrë elektronike. Në një faqe interneti të veçantë, do t’ju duhet të plotësoni një formular që kërkon të dhëna personale bazë dhe procedura do të kushtojë shtatë euro për person. Paratë do të paguhen edhe në mënyrë elektronike, me kartë debitore ose krediti. Ky formular duhet të plotësohet të paktën katër ditë përpara udhëtimit të parë në ndonjë nga këto vende. Miratimi pritet të zgjasë disa minuta, por ka një përjashtim kur drita jeshile do të priste deri në 30 ditë, për shkak të rreziqeve shtesë të sigurisë. Pasi të merret, autorizimi i udhëtimit do të jetë i vlefshëm për tre vitet e ardhshme për një numër të pakufizuar udhëtimesh në shtetet anëtare të Shengenit, Islandë, Norvegji dhe Zvicër. Bashkimi Evropian thotë se ky formular nuk është vizë. Sipas Brukselit, ky sistem do të rrisë sigurinë, por edhe do të përshpejtojë procedurën e hyrjes në pikat kufitare. Mirëpo, zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq beson se kjo formë është pengesë dhe së bashku me kolegët e tij nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të kërkojë nga Unioni që të mos e vendosë fare këtë sistem për ne.

“Edhe pse kjo barrierë atyre iu duket banale ose shumë teknike, ose jo thelbësore, mendoj se vetëm sa do të forcojë narrativën se Bashkimi Evropian nuk i do vendet nga Ballkani Perëndimor dhe mendoj se ne, si Maqedonia e Veriut, po ashtu edhe vendet e tjera, meritojnë të kenë një trajtim të ndryshëm”, deklaroi Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Ideja për një sistem të tillë lindi që në vitin 2016, por aplikimi u vonua vazhdimisht. Me vendimin e fundit të Komisionit Evropian, fillimi i formularëve është planifikuar për në nëntor dhe sistemi i provës do të fillojë të funksionojë këtë verë. Ndër vendet anëtare të BE-së, një deklaratë e tillë nuk do të jetë e nevojshme për Bullgarinë, Qipron, Irlandën dhe Rumaninë, pasi këto vende nuk janë pjesë e zonës Shengen. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button