Çmimet mbeten në “qiell” , shporta konsumatore për një familje 51 mijë denarë

Çmimet mbeten në “qiell” , shporta konsumatore për një familje 51 mijë denarë

Gazetar: Adnan Qaili

Shpenzimet mujore për një familje katër anëtarëshe në janar të 2023 janë rritur për rreth 19,425 denarë më shumë, krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Sipas Lidhjes së Sindikatave vjet në janar nevojiteshin 31.811 denarë për shportën e konsumatorit, ndërsa në mes të vitit 2022 arriti në 43.163 denarë, që në dhjetor të mbërrij në 51.234 denarë. Qytetarët akoma nuk po e rimarrin veten nga shpenzimet e festave të fund vitit, megjithëse sivjet ishin më duar shtrënguar. Por, nga LSM-ja thonë se përballja e vetme e krizës ekonomike do të jetë rritja e përshtatshme e pagave.

“Vjet ndikuam në rritjen e pagës minimale në 18.000 denarë, dhe aty ku kemi sindikata në sektorin privat, pagat menjëherë janë përshtatur me rritjen e pagës minimale përmes dialogut social, por fatkeqësisht, në sektorin publik situata ishte ndryshe dhe më së shumti Qeveria diskriminoi punonjësit e saj dhe pas presionit nga greva e përgjithshme e organizuar nga LSM filloi t’i rriste pagat e punonjësve por pa kriter”, njoftojnë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Ndërkohë sipas Bankës Popullore të Maqedonisë këtë vit planifikohet të ketë inflacion deri në 9%, kurse mesatarja e inflacionit për 2022 ishte 14,3%. Qeveria, nga ana tjetër, gjatë propozim-buxhetit parashikoi inflacion prej 7.1%. Kurse, parashikimet e FMN-së janë se viti 2023 do të jetë një vit i vështirë dhe 1/3 e ekonomisë botërore do të jetë në recesion. Për krahasim, inflacioni në Eurozonë vjet ishte mesatarisht 10,6%. Norma e inflacionit në Gjermani, pas 11.6% në tetor, u ul në 11.3% në muajin nëntor. Në Maqedoni, inflacioni në tetor ishte 19,8%, ndërsa në nëntor u shënua një rënie e lehtë në 19,5%.

“Banka Popullore ka rritur disa herë normën bazë të interesit gjatë periudhës së kaluar. Me ndryshimin e fundit që nga mesi i nëntorit, tani qëndron në 4.25%. Ne prezantuam edhe masa të tjera për të frenuar inflacionin që supozohej të ulnin konsumin. Inflacioni është përshpejtuar muajt e fundit, nga të cilat 75% është ende rezultat i rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore të importuara dhe energjisë elektrike”, njoftojnë nga Banka Popullore e Maqedonisë.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, eksporti dhe importi i përgjithshëm i mallrave dhe shërbimeve të Maqedonisë është 148% e Prodhimit Bruto Vendor tonë, kur në 27 vendet e BE-së mesatarja është 97%, SHBA vetëm 26%. Maqedonia, një vend me të ardhura të ulëta, pas tre dekadash nuk shkëputet dot nga ato pak vende që mbeten në fundin e listës evropiane. Shpenzimet e një familje mesatare për ushqim dhe energji në këto vende përbëjnë një përqindje dukshëm më të lartë të shpenzimeve totale mujore. Për shembull, në Maqedoni me mbi 50%, ndërsa në BE shpenzohen vetëm rreth 35% e të ardhurave të tyre. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button