Gazetar: Zekirija Haxhiu
Duke prezantuar dëshmi në formë të dokumenteve vazhdoi gjykimi kundër Tatjana Dimitrovskës e cila si ish kryetare e Komisionit Antikorrupsion, akuzohet për dhënie të sekreteve zyrtare dhe falsifikim kompjuterik. Nga Prokuroria prezantuan certifikatën të cilën e kishte marrë Dimitrovska përmes një të punësuari në Entin Shtetëror për Revizion ndërsa prezantoi dhe dëshmitë e siguruara për IP adresën dhe email adresën që është përdorur në emër të Dimitrovskës.
Megjithatë jo të gjitha dëshmitë që paraqiteshin ishin të kompletuara ndërsa prokurori arsyetohej se nuk kanë arritur si skenojnë. Avokati i Dimitrovskës, Vlladimir Tufegxhiq u ankua se Prokuroria ka siguruar një pjesë të dëshmive pasi është ngritur akuza.
“Të gjitha dëshmitë sipas formës dhe përmbajtjes së tyre absolutisht nuk i kontestojmë. Ka ekzistuar komunikim dhe ne këtë nuk e kontestojmë. Në veprimet e Tatjana Dimitrovskës nuk ekziston vepër penale as për dhënien e sekreteve zyrtare e as për falsifikim kompjuterik. Nga seancat publike të KSHPK ju mund të shihni të gjithë analizën e të gjitha këtyre dëshmive që u prezantuan kështu që nuk janë përmbushur elementet ligjore”, tha avokati i Dimitrovskës, Vlladimir Tufegxhiq.
Prokuroria paralajmëroi se një pjesë e dëshmive, respektivisht mesazhet dhe bisedat mes Tatjana Dimitrovskës, Nebojsha Stojanoviqit dhe Mile Stolevskit do të prezantohen në seancën e radhës pasi janë voluminoze, respektivisht 250 mijë regjistrime elektronike nga celulari i Dimitrovskës.
Sipas aktakuzës, auditori Mile Stolevski, në emër të Dimitrovskës e ka dhënë testin për marrjen e certifikatës së sigurisë për qasje në informacione të klasifikuara. Në këtë lëndë të akuzuar janë Mile Stolevski dhe Biljana Petrovska – Manteva. Ndërsa procedura për Borçe Najdovin do të vazhdojë në kuadër të lëndës “Aditivët”. / Alsat.mk








