Parlamenti Evropian, me rekomandime për jurisprudencën dhe përfaqësimin

Gazetare: Fatlume Dervishi

Në Rezolutën e miratuar për Raportin e Komisionit Evropian për vendin, Parlamenti Evropian një ditë më parë në rekomandimet e tij përmend përdorimin e gjuhës në provimin e jurisprudencës dhe mbron të drejtën e protestuesve.

“Parlamenti Evropian u bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që ta zgjidhin shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe për provimet shtetërore për të siguruar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si në ligj ashtu edhe në frymë, dhe të mos i portretizojnë protestat studentore në mënyrë të padrejtë si të motivuara politikisht ose si një faktor destabilizues”, thuhet në Rezolutën e PE-së.

Konstatimi u përshëndet nga studentët me reagime në rrjetet sociale.

Në mbështetje të tyre për të drejtën e dhënies së provimit në gjuhën shqipe është edhe opozita. LSDM-ja thotë madje se nuk ka nevojë për ndryshime ligjore.

“E para, nuk ka nevojë për ndryshim të asnjë zgjidhje ligjore dhe të gjithë ata që presin që ndoshta të ketë tekst ligjor në Kuvend dhe aty të diskutohet, duhet ta dini se çështjet janë shumë të qarta në këtë drejtim. Të gjithë ata që kanë të drejtë arsimohen nga shkolla fillore deri në shkollim të lartë në gjuhën amtare, nuk mund t’ua merrni të drejtën të kalojnë atë provim në atë gjuhë. Gjithmonë kur studentët dalin në protesta, kjo duhet të merret shumë seriozisht nga cilado qeveri” deklaroi për Alsat, Oliver Spasovski, nga LSDM-ja. 

Përveç për jurisprudencën, kur flet për çështjet etnike, Parlamenti Evropian nënvizon që administrata e vendit duhet të pasqyrojë përbërjen e saj shumëetnike; u bën thirrje autoriteteve të sigurojnë përfaqësim adekuat dhe të drejtë të të gjitha komuniteteve në përputhje me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe të ndryshojnë e zbatojnë projektligjin përkatës plotësisht në përputhje me mendimin e Komisionit të Venecias dhe standardet e BE-së. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button