Partitë dënojnë incidentin me flamuri maqedonas, akuzojnë njëra tjetrën për nxitje
Partitë dënojnë incidentin me flamuri maqedonas, akuzojnë njëra tjetrën për nxitje
Gazetare: Fatlume Dervishi
Prokurori publik është informuar dhe po ndërmerren veprime për zbardhjen e ngjarjes, thonë nga Prokuroria Publike në lidhje me zhvillimet e një dite më parë. Ndërkohë partitë politike kanë dënuar daljen e situatës jashtë kontrollit dhe djegien e flamurit, madje disa prej tyre, duke akuzuar njëra-tjetrën. Dënimi i parë erdhi nga kreu i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
“Fatkeqësisht, ajo që pamë sot në shumë vende, përfshirë edhe në Kumanovën time, veçanërisht vandalizmi i individëve dhe grupeve, mosrespektimi i ligjit për përdorimin e flamujve nga institucionet dhe organet, dhe shkatërrimi dhe përdhosja e flamurit të shtetit dhe të Maqedonisë tonë, është për çdo dënim. Pas kësaj sot po vihet në provë kapaciteti ynë multietnik, është një dëshirë e sinqertë apo thjesht një farsë? Unë jam për një shoqëri të vërtetë multietnike në të cilën të gjithë do të respektojmë njëri-tjetrin me të drejta dhe detyrime të barabarta dhe ku të gjithë janë njësoj para ligjit. Të shkelësh dhe të grisësh, të shkatërrosh flamurin e një vendi që të ngriti, të edukoi, pagoi dhe paguan, investon në ty është krim dhe duhet të mbash përgjegjësi”, deklaroi Maksim Dimitrievski, kryetar i Komunës së Kumanovës.
LSDM-ja dënoi aktet dhe kërkoi përgjegjësi nga kryeministri dhe ministri i Brendshëm.
“LSDM-ja dënon ashpër incidentet dhe përdhosjen e flamurit të Maqedonisë, cenimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe përdorimin e armëve të zjarrit të ndodhura gjatë shënimit të Ditës së Flamurit Shqiptar. Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga ministri Pançe Toshkovski, dukshëm ka dështuar plotësisht në parandalimin dhe kontrollin e situatës. Qytetarët kanë të drejtë të pyesin – pse nuk ka qenë e pranishme policia dhe pse nuk ka pasur ndërhyrje të shpejtë dhe të vendosur për të parandaluar këto incidente? Respektimi i simboleve dhe identitetit të çdo komuniteti është çelësi i përparimit të përbashkët”, thonë nga LSDM.
Reagime erdhën edhe nga E Majta dhe PLD-ja.
“E majta kërkon që organet kompetente të kryejnë urgjentisht hetime për të gjitha incidentet dhe ata të sanksionohen. Kujtojmë se heshtja për poshtërimet nuk ndërton bashkëjetesë, por vetëm ndihmon në arritjen e qëllimit përfundimtar të irredentizmit të BDI-së dhe VLEN-t, që është federalizimi dhe copëtimi i Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e partisë “E Majta”.
“Veprime të tilla nuk janë vetëm fyerje për shtetin, por cenojnë drejtpërdrejt vlerat bazë të bashkëjetesës, respektit dhe përgjegjësisë qytetare. Flamuri maqedonas është simbol i unitetit dhe krenarisë së të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, etnike apo fetare”, reagojnë nga PLD.
BDI-ja dënon djegien e flamurit si akt që sipas tyre ka qenë rezultat i ndërhyrjes së policisë.
“Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër ndërhyrjen e paprecedentë të policisë… Kjo ndërhyrje, në vend që të ruante rendin publik, shkaktoi tensione të panevojshme dhe krijoi një klimë konfrontimi, duke cenuar të drejtën e qytetarëve për të festuar lirisht këtë traditë të shënuar feste. Në të njëjtën kohë, dënojmë aktin individual të djegies së flamurit kombëtar si reagim ndaj ndërhyrjes së papërshtatshme të policisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
VMRO-DPMNE-ja në mënyrë direkte akuzon BDI-në për nxitjen e këtyre grupeve dhe veprimeve të tyre tensionuese.
“BDI-ja janë hipokritë, nga njëra anë organizojnë skenarë të zinj për konflikte etnike me LSD-në, nga ana tjetër bëjnë sikur janë të shqetësuar dhe nxisin grupe të tensionojnë dhe të sjellin përçarje. Kështu sunduan për mbi 20 vjet. BDI-ja duhet ta dijë se LSD nuk është në pushtet, dhe BDI është opozitë. Dhe të gjitha instrumentet e tyre dhe ata që do të shtrijnë dorën për prishje të rendit dhe qetësisë do të mbajnë përgjegjësi. As BDI-ja e as Ahmeti nuk janë mbi ligjin”, reagojnë nga VMRO-DPMNE-ja. /Alsat.mk