Partitë e vogla kundër pragut zgjedhor. Trajanov: Pragun s’do ta kalonte as BDI-ja

Partitë e vogla kundër pragut zgjedhor. Trajanov: Pragun s’do ta kalonte as BDI-ja

Gazetare: Fatlume Dervishi

Partitë më të vogla parlamentare kërkojnë zhbllokimin e propozim ndryshimeve për një njësi zgjedhore, me lista të hapura dhe me përfaqësim gjinor 50-50. Kërkesa e tyre vjen pak ditë pasi BDI-ja tha se do ta propozojë modelin zgjedhor me një njësi zgjedhore në grupin e punës për legjislaturën zgjedhore. Megjithatë, për dallim nga partitë e vogla të cilët kërkojnë të mos ketë prag zgjedhor të paktën në zgjedhjen e ardhshme parlamentare, BDI-ja kërkon prag prej 5%, deklaroi Pavlle Trajanov, Lidhja Demokratike.

“Ajo që propozon BDI-ja, për një njësi zgjedhore me prag zgjedhor 5%, unë e them me përgjegjësi se as BDI-ja dhe asnjëra nga partitë politike shqiptare nuk do të arrijnë të vetme te 5%. E bëjnë vetëm për të treguar një përqindje e cila nuk do të pranohet nga partitë më të vogla. Ky model, nëse Maqedonia bëhet një njësi zgjedhore, jep mundësinë që partitë më të vogla të garojnë të pavarura, të bashkohen ose të bëjnë koalicion me ndonjë parti më të madhe.”

Propozim-ndryshimi i partive më të vogla, Lidhjes Demokratike, Partisë Liberal Demokrate, Ripërtëritjes Demokratike të Maqedonisë, Partisë së Turqve, Të Majtës dhe VMRO-Popullore, daton që nga 5 marsi i vitit 2021 dhe duke qenë se nuk ka pasur konsensus, propozimi nuk është vënë në shqyrtim. BDI-ja ka qenë kundërshtarja më e madhe e modelit me një njësi zgjedhore duke ruajtur me fanatizëm idenë se modeli aktual proporcional me gjashtë njësi ishte më i mirë. Megjithatë, ditëve të fundit, kjo parti ka modifikuar qëndrimin, u shpreh Arbër Ademi – BDI.

“As që bëhet fjalë që BDI-ja të rrezikojë pragun prej 5% prandaj kërkoj që të ketë një prag prej 5% në mënyrë që ajo zgjidhje ligjore të jetë në funksion të stabilitetit politik e mos të ketë destabilitet politik sepse ajo nuk është në favor të askujt. Vërtetë duhet konsensus më i gjerë ndëretnik dhe ndërpartiak për cilindo model që do të zgjedhim.”

LSDM-ja e ka në programin e saj modelin me një njësi zgjedhore, por ka insistuar gjatë gjithë kohës se nevojitet konsensus.

“Ne i mbështesim ndryshimet ligjore në pjesën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së. Në pjesën e pragut, në pjesën e listave të hapura dhe duke pasur parasysh se Kodi zgjedhor është miratuar gjithmonë me konsensus, apelojmë që përmes debatit dhe dialogut në grupin e punës të vërtetohet nevoja për lista të hapura dhe për prag zgjedhor. Është e rëndësishme që të bisedojmë se bashkërisht si parti politike ta propozojmë Kodin zgjedhor në Kuvend,” deklaroi Mile Talevski, LSDM.  

VMRO-DPMNE-ja beson se ka një marrëveshje mes partive në pushtet, njëra për të propozuar dhe tjetra për të mos pranuar modelin me një njësi. Sa i takon pragut të nevojshëm zgjedhor, as ata nuk janë të përcaktuar.

“Jemi për mbështetjen e një njësie zgjedhore pasi të koordinohen gjërat tjera. Si fillim ka mbështetje për rekomandimet e OSBE-ODIHR-së dhe ata do të mbështeten nga ana jonë. Për pjesën tjetër, presim që partitë e mëdha politike të mos luajnë policin e mirë dhe policin e keq dhe ta thonë qëndrimin e tyre. Ta shohim fillimisht atë që do ta ofrojnë nga BDI-ja, të cilët janë ata që sjellin ligjet në këtë shtet dhe zbatuesi LSDM-ja,” tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë ka filluar me punë grupi për ndryshime në Kodin zgjedhor. Ky grup do të fokusohet fillimisht në zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-së por paralelisht do të punojnë edhe në idetë e ndryshimit të modelit zgjedhor. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button