Partitë në Kosovë te Osmani për datën e zgjedhjeve
Partitë në Kosovë te Osmani për datën e zgjedhjeve
Gazetare: Fatlume Dervishi
5, 12 dhe 19 prill janë datat e mundshme për zgjedhje parlamentare në Kosovë, opsione të diskutuara në takimin e Presidentes Vjosa Osmani, me liderët e partive politike, pas dekretit për shpërndarje të Kuvendit. Në këtë takim mungoi lideri i LVV-së, kryeministri, Albin Kurti. Prezent ishin kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj si dhe disa kryetar nga komunitetet jo serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka komentuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, një ditë më parë. Para mediave sot, gjatë homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, kreu i ekzekutivit tha se vendimin e Osmanit nuk e komenton në Prekaz.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka mirëpritur dekretin dhe siç ka thënë qëndrimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja të parakohshme. Abdixhiku tha se zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së.
“LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo (Presidentja), në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës… Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual”, deklaroi Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një paraqitje për mediat para takimit me Presidenten Vjosa Osmani, tha se afatet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit nuk mund të ndryshohen.
“Dekreti është i drejtë dhe e respektojmë si të tillë. Kuptohet, presim edhe caktimin e datës së zgjedhjeve”, u shpreh Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së.
Kryetari i PDK-së Bedri Hamza theksoi se çdo vendim duhet të jetë në përputhje me rendin kushtetues dhe ligjor.
“Mendoj se gjithçka do të vendoset në përputhje me rendin kushtetues dhe rendin ligjor, dhe ne jemi parti që e respektojmë rendin kushtetues dhe ligjin”, tha Bedri Hamza, Kryetar i PDK-së. /Alsat.mk








