Partitë politike në pushtet VMRO-DPMNE dhe VLEN ende nuk mund të kuptojnë opozitën pse nuk e mbështetën ligjin e ri
Partitë politike në pushtet VMRO-DPMNE dhe VLEN ende nuk mund të kuptojnë opozitën pse nuk e mbështetën ligjin e ri
Gazetari: Zekirja Haxhiu
Partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe VLEN nuk munden ende të kuptojnë BDI-në dhe LSDM-në pse nuk e mbështetën ligjin për kundërvajtje përmes së cilës do të vendoset në funksion sistemi “Safe City”. Nga VMRO thonë LSDM dhe BDI ende nuk munden të shkëputen nga njëri tjetri që nga koha kur qeverisnin me shtetin e kur interes të përbashkët kishin ndarjen e tenderëve kriminal.
“E tani, Ali e Venko treguan se nuk u bëhet vonë fare për qytetarët dhe nevojave të tyre, e të premten bashkë deputetët e tyre votuan kundër ndryshimeve të ligjit për kundërvajtje me të cilin përmbyllen normat ligjore të nevojshme për fillim zyrtar të sistemit “Qyteti i Sigurt”. Paramendoni, deputetët e tyre ishin kundër një sistemi që garanton siguri për qytetarët në komunikacion, sistem i cili ka për qëllim të ulë aksidentet në komunikacion e që në Maqedoni shpesh janë me pasoja fatale”, tha Bojan Stojanovski – VMRO-DPMNE.
Të njëjtën e theksojnë edhe nga VLEN. Pohojnë se refuzimi i BDI-së për të mbështetur “Safe City” nuk ka të bëjë me përmbajtjen e projektit por kanë frikë se po vendoset rend dhe ligj në shtet e me këtë ata nuk janë mësuar. Nga VLEN akuzojnë BDI-në se pavarësisht tentimeve për reforma në parti, ende funksionojnë me mendësinë e së kaluarës.
“Për ta, çdo vendim është pazar, çdo proces është llogari e brendshme, dhe asgjë nuk udhëhiqet nga parimet apo nevoja reale e qytetarëve. Rasti i “Safe City” e zbulon hapur krizën e thellë të brendshme në BDI. Një ditë deklarojnë se “në parim janë pro”, ndërsa ditën tjetër e rrëzojnë të njëjtin qëndrim. Kjo dëshmon rrëmujë politike dhe mungesë totale kontrolli. Është e qartë se Ali Ahmeti nuk e kontrollon më as grupin e tij parlamentar”, than të Vlenit.
– Për BDI-në, çdo vendim është Pazar
– “Safe City” zbuloi krizën e thellë në BDI
– Ali Ahmeti nuk e kontrollon më as grupin parlamentar
Për ndryshimet në ligjin për kundërvajtje votuan 81 deputet. Pos shumicës, për votuan edhe partia “E Majta” si dhe deputetët e pavarur Ilir Demiri dhe Bejxhan Iljas. Kundër votuan LSDM, BDI dhe dy Aleancat me arsyetimin se ky sistem është diskriminues dhe gjobat janë tejet rigoroze./Alsat.mk








