Partitë politike pa konsensus për Kodin Zgjedhor

Fati i zgjedhjeve lokale varet nga shpresat e dy partive të bllokut politik maqedonas VMRO-DPMNE dhe LSDM. Ndaj kërkesës së KSHZ-së që konsensusi për Kodin Zgjedhor të arrihet deri në fund të muajit mars nëse duan zgjedhje lokale në tetor, opozita maqedonase dhe Socialdemokratët i përgjigjen me shpresën se do të arrihet marrëveshje. VMRO-DPMNE-ja këmbëngul në zgjedhje sipas Kodit Zgjedhor, përkatësisht përdorimin e aparateve për “fingerprint”. Partia e Hristijan Mickoskit akuzon partnerët e koalicionit LSDM-BDI se qëllimisht bllokojnë negociatat për Kodin Zgjedhor.

“Njëra e luan policin e mirë dhe tjetra policin e keq. Koha është pranë përfundimit, patjetër e kemi ta miratojmë Kodin Zgjedhor derisa duam zgjedhje të besueshme dhe ligjore në bazë të asaj që e kemi miratuar në Kodin Zgjedhor vitin e kaluar”, tha Nikolla Micevski, Koordinator i VMRO-DMNE-së.

LSDM-ja i kundërpërgjigjet opozitës se procesin po e bllokojnë veprimet e tyre destruktive.

“Shpresoj që do të arrijmë konsensus për shumë punë. Jemi zgjedhur nga qytetarët. Pa marr parasysh a na kanë votuar ose jo, ne i përfaqësojmë të gjithë qytetarët dhe opozita njëherë e përgjithmonë duhet ta pranojë se duhet të punojmë bashkërisht në interes të shtetit dhe qytetarëve”, pohoi Jovan Mitrevski, Koordinator i LSDM-së.

Të ndara janë edhe partitë e bllokut politik shqiptar. ASH-AAA pranon zgjedhje me aparate për fingerprint, ndërsa BDI nuk ka qëndrim konkret por thonë se për gjithçka duhet konsensus. Në rast se Qeveria nuk siguron aparatet për regjistrimin e votuesve në mënyrë elektronike dhe përmes vijave papilare, që zgjedhjet lokale të mbahen në tetor duhet ndryshuar Kodi Zgjedhor dhe duhet larguar dispozitat për identifikimin e votuesve. Meqenëse opozita nuk pranon largimin e këtyre dispozitave, KSHZ-ja kërkon që konsensus për dallimet të gjendet deri në fund të marsit, përkatësisht gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale, në të kundërtën data e zgjedhjeve duhet shtyrë. Ligji për Vetëqeverisje Lokale kushtëzon që mandati i kryetarëve të Komunave mund të vazhdohet, por nuk mund të jetë më pak se katër vite. Në vitin 2017 kur vendi ndodhej në krizë politike, me Qeveri teknike dhe me Kuvend jo funksional, mandati i krerëve të komunave kishte skaduar në muajin prill, ndërsa Gjykata Kushtetuese ishte obliguar të shfuqizon dispozitat kufizuese të mandatit dhe të cakton zgjedhjet lokale në muajin tetor. Vazhdimi i mandatit nuk kufizon krerët e komunave në vendimmarrje dhe çështje tjera financiare dhe ekzekutive.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button