Pas festave rikthehen akvitetet politike – Ja çfarë pritet të ndodhë

Pas festave rikthehen akvitetet politike – Ja çfarë pritet të ndodhë

Gazetare: Fatlume Dervishi

Pas festave të fundvitit, politikanët do t’u kthehen aktiviteteve partiake, sepse pikërisht në janar janë afatet për formimin e qeverisë teknike, 100 ditë para datës së zgjedhjeve të majit, shkruan Alsat.

Gjatë kësaj jave VMRO-DPMNE-ja do të mbledhë organet partiake, për të vendosur për qeverinë teknike. Nëse organet e partisë janë njëzëri pro-pjesëmarrjes në qeverinë e modelit të Përzhinës, po në ato takime duhet të vendosen se me cilat emra opozita do të përfaqësohet.

“Siç ka njoftuar tashmë kryetari Mickoski një ditë më parë, në datën 11 të këtij muaji do të mbahen takimet e organeve më të larta të partisë ku do të merret qëndrim për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet”, tha Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.

Por, Mickoski nuk ka marrë akoma ftesë nga kryeministri Kovaçevski për takimin e paralajmëruar mes dy liderëve, për të biseduar për qeverinë teknike.

VMRO-DPMNE-ja në qeverinë teknike, sipas ligjit për qeverinë, merr pozitat e ministrave, atij të Brendshëm dhe ministër për Punë dhe Politikë Sociale. Partia e Mickoskit duhet të ketë edhe kuadro të zv/ministrave plotësues në Financa, Administratë dhe Bujqësi. LSDM-ja, nga ana tjetër, vendosi pak ditë më parë që në qeverinë teknike zv/ministër i Brendshëm plotësues do të jetë Mitko Bojmaçaliev, aktualisht shef i kabinetit të ministrit Oliver Spasovski. Zëvendësministre plotësuese në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale do të jetë ministrja aktuale, Jovana Trençevska.

Kryeministri Kovaçevski dhe kreu i Kuvendit Talat Xhaferi duhet të japin dorëheqje deri nga mesi i janarit. Ata kanë paralajmëruar se që të arrihen afatet, dorëheqjet duhet të ndodhin rreth datave 14-15 janar.  Xhaferi do të jetë në krye të qeverisë teknike kurse vendin e kryeparlamentarit në Kuvend do ta zërë Jovan Mitrevski nga LSDM-ja.

Qeveria teknike duhet të zgjidhet deri më 28 janar. Kurse zgjedhjet parlamentare të 8 majit do të shpallen rreth datave 14-15 shkurt. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button