Pas protestës para Kuvendit: 19 të arrestuar, policia vijon hetimet

Gazetare: Era Gjakova

Nëntëmbëdhjetë protestues të arrestuar një ditë më parë në protestën para Kuvendit të Shqipërisë do të qëndrojnë për tri ditë në paraburgim. Policia e Shqipërisë ka njoftuar se dymbëdhjetë protestues do të ndiqen penalisht kurse vijon puna për identifikimin edhe të gjashtë personave të tjerë. Arrestimet ndodhën pas përshkallëzimit të situatës dhe përplasjes së protestuesve me policinë. Ndërkohë ambasada Amerikane në Shqipëri ka këshilluar shtetasit e saj që të shmangin pjesëmarrjen në protesta, të jenë të vëmendshëm, të ndjekin mediat lokale për informacionet e fundit dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve ligjzbatuese.
Nga ana tjetër kryeministri shqiptar Edi Rama për Deutsche Welle është shprehur se dorëheqja e tij nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë opsion pavarësisht se është një ndër pesë kërkesat e protestuesve. Ai vlerëson se me votat e marra në zgjedhjet e vitit të kaluar ai së bashku me PS-në është mandatuar për të mbyllur negociatat me BE-në.

“Dorëheqja nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë opsion për një arsye shumë të thjeshtë: sepse unë jam mandatuar së bashku me Partinë Socialiste nga 868 mijë shqiptarë për të realizuar misionin e mbylljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Dhe ky është një mision historik që nuk mund të lihet në mes për asnjë arsye. Nga ana tjetër, protesta është diçka jashtëzakonisht kuptimplotë për Shqipërinë, për nivelin e lirisë, për nivelin e demokracisë dhe për faktin që në Shqipëri protestohet. Njerëz nga të gjitha rrugët e jetës dalin, kanë gjërat e tyre për të cilat dalin, ne kemi detyrën t’i dëgjojmë, kemi detyrën ta lexojmë çdo mesazh që ata na japin, dhe këtë po bëjmë”, deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

• Dorëheqja nuk është opsion
• PS është mandatuar për të mbyllur negociatat me BE-në
• Protestat janë tregues për nivelin e lirisë dhe demokracisë

Protestat e nisura për të kundërshtuar projektin në Zvërnec sot hynë në ditën e 34-të, ndërsa të shtunën korrik pritet që protestuesve t’u bashkëngjitet edhe diaspora. Ndër kërkesat kryesore mbetet dorëheqja e Qeverisë “Rama”./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button