Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE) sot do të marrë një vendim të ri për çmimet e karburanteve, i cili do të vlejë nga mesnata deri të martën e ardhshme, pas vendimit të djeshëm të Qeverisë për uljen e TVSH-së mbi vlerën e shtuar nga 18 në 10 për qind.
Kryeministri Hristijan Mickoski dje vlerësoi se, në përputhje me zhvillimet në tregjet e naftës, pritet që KRRE të marrë vendim për një rritje të re të çmimit të dizelit prej 10,5 denarë për litër, si dhe rritje të çmimeve të karburanteve pa plumb me 6 denarë. Për këtë arsye, siç tha ai, Qeveria në një seancë të jashtëzakonshme vendosi të ulë TVSH-në për benzinën dhe dizelin nga 18 në 10 për qind.
Vendimi, siç theksoi ai, hyn në fuqi nga mesnata e sotme dhe do të vlejë për dy javët e ardhshme.
“Pritet që vendimi i KRRE-së të jetë rritja e çmimeve të benzinës 95 dhe 98 okta nga 86,5, ose 88,5 denarë në 93, përkatësisht 95 denarë, ndërsa për dizelin nga 92 në 102,5 denarë. Si një Qeveri e përgjegjshme që kujdeset për standardin e qytetarëve, por edhe për gjendjen e përgjithshme të shtetit, sot në seacën qeveritare morëm vendim për uljen e TVSH-së për benzinën dhe dizelin nga 18 në 10 për qind. Nëse kjo merret parasysh, atëherë presim që çmimi i benzinës të mbetet i njëjtë, pra i pandryshuar, ndërsa çmimi i dizelit të rritet rreth 3,5 denarë për litër” , tha dje kryeministri Mickoski..
“Me këto masa, ne po marrim pjesë drejtpërdrejt në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve nga buxheti, dhe masat do të jenë në fuqi për dy javët e ardhshme, duke filluar nga e hëna, me mundësinë e zgjatjes nëse është e nevojshme”, shtoi Mickoski.








