Pas vetos bullgare, Osmani paralajmëron reflektim

Pas vetos bullgare, Ministri i jashtëm Osmani paralajmëron se vendi do të rishqyrtojë qasjen në kontestin me Sofjen. Osmani tha se nuk ka ndërprerje të negociatave, por se ende nuk kanë marrë përgjigje nga Sofja për udhërrëfyesin e propozuar nga ana e Shkupit.

“Pas vetos nga Këshilli Evropian do të duhet edhe ne të ulemi e të bisedojmë për qasjen e mëtejshme në gjetjen e zgjidhjes. Pres që menjëherë pas festave të fundvitit, edhe përfaqësuesi ynë special, por edhe unë e ministrja Zaharieva, por edhe në nivele tjera të vazhdojmë komunikimin për gjetjen e zgjidhjes.”-tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Nga ana tjetër, Kryeministri bullgar, Borisov u shpreh optimist se vitin e ardhshëm do të arrihet kompromis.

“Shpresoj që vitin e ardhshëm me Zaharievën dhe Karakaçanovin do t’i gjejmë zgjidhjet e nevojshme për ta mbështetur rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, ashtu siç e mbështetëm edhe për në NATO. Ashtu që, nuk ka ndodhur asgjë fatale, është çështje e vullnetit politik të të dy palëve që të arrijmë atje.”-pohoi Bojko Borisov, Kryeministër i Bullgarisë.

Ndërkohë SHBA-ja i përcolli vendit mesazhe inkurajuese gjatë shënimit të 25 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike.

“Ne ishim me ju në Marrëveshjen e Përkohshme me Greqinë, në Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshjen e Prespës, që i hapi rrugën anëtarësimit në NATO. Përgjatë këtyre 25 viteve ndryshim, qëllimet tona për Maqedoninë e Veriut, për paqe dhe prosperitet kanë mbetur të njëjta. Shpresat tona që vendi të vazhdojë rrugën drejt integrimit në BE poashtu ka mbetur e njëjtë. Partneriteti do të vazhdojë edhe pasi ta kalojmë tranzicionin e administratës në muajt e ardhshëm.”-tha Filip Riker, Ndihmës sekretar i Shtetit amerikan për Evropë dhe Eurazi .

“Vazhdojmë ta mbështesim integrimin e merituar të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.”-deklaroi Kejt Meri Bërns, Ambasadore e SHBA-së.

Ndryshe, Sofja kushtëzon fillimin e negociatave mes vendit dhe BE-së me përfshirjen e kërkesave bullgare në kornizën neogciuese për Maqedoninë. Ndër to heqjen dorë nga pakica maqedonase në Bullgari, harmonizimin e një udhërrëfyesi për zbatimin e Marrëveshjes dypalëshe të vitit 2017 dhe respektimin e formulimit për gjuhën sipas kësaj marrëveshjeje.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button