PDK bojkoton Kuvendin për një javë, fton partitë tjera që t’i bashkohen

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se partia që përfaqëson për një javë nuk do të jetë pjesë e agjendës së Kuvendit të Kosovës.

Tahiri në konferencën për media tha se që nga 5 nëntori me rastin e ngritjes së aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së, vendi është duke kaluar në një situatë të pazakonshme.

“Që nga e hëna, dje, si dhe sot, në Hagë janë paraqitur si të akuzuar për krime lufte, drejtuesit kryesor të luftës sonë për liri dhe pavarësi. Ndër ta, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i zgjedhur nga ky Kuvend. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish kryetar i këtij Kuvendi. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Social Demokrate, Jakup Krasniqi, ish kryetar i këtij Kuvendi. Si dhe sot, Rexhep Selimi, Shef i Grupit më të madh opozitar aktualisht, brenda këtij Kuvendi”.

“Për këtë fakt, ky zhvillim natyrisht se prekë traditën e Kuvendit, nëse jo për ndonjë angazhim specifik, së paku për një reflektim solidar. Dhe ne si Parti Demokratike e Kosovës, përballë këtij zhvillimi, kemi nevojë për reflektim solidar, duke e shtyrë prezencën tonë për një javë, në zhvillimin e zakonshëm të agjendës së këtij kuvendi. Pra, gjatë kësaj jave, PDK-ja nuk do të marrë pjesë në agjendën e Kuvendit të Republikës së Kosovës” deklaroi Tahiri.

Tahiri mes tjerash u bëri thirrje edhe partive tjera politike që t’i bashkohen kësaj nisme.

“PDK beson fuqishëm në luftën e drejtë të UCK-së dhe kauzën e saj nga regjimi gjenocidial i Millosheviqit. Besojmë se nga dëshmori i parë e deri te i fundit të gjithë e kanë dhënë jetën për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Presim nga partitë tjera politike që t’i bashkohen kësaj nisme, sidomos nga VV dhe Nisma”, u shpreh Tahiri.

I pyetur rreth çështjes së presidentit Tahiri tha se kjo temë nuk është diskutuar brenda PDK-së.

LEXO EDHE:

Back to top button