Penalja: Rade Trajkovski- Shtekli është në gjendje të ndjekë gjykimin

Penalja: Rade Trajkovski- Shtekli është në gjendje të ndjekë gjykimin

Gazetar: Mihajllo Donev

Rade Trajkovski Shtekli nuk është psikotik siç pretendon mbrojtja dhe është i aftë të ndjekë seancat dëgjimore ku është i akuzuari i parë për shitje të paligjshme të drogës. Ky ishte përfundimi i Gjykatës Penale, pasi gjatë seancave dëgjimore periudhën e fundit ekspert i mbrojtjes shpjegoi pse Trajkovski nuk ishte i aftë të ndiqte procesin kurse në kundërshtim me këtë, ekspert i prokurorisë dha argumentet e tij se Trajkovski ende ka aftësinë për të logjikuar. Gjykatësi vendosi të mbështetet te eksperti i prokurorisë, duke theksuar se nuk ka nevojë për super-ekspertizë të tretë për të vërtetuar nëse Trajkovski duhet të jetë në sallë apo jo.

“Vetëm në raste të jashtëzakonshme urdhërohet super-ekspertizë, por në këtë rast Gjykata u bind nga eksperti i prokurorisë në lidhje me aftësinë e të akuzuarit Rade Trajkovski për të ndjekur gjykimin”, tha Ilija Tërpkov- Gjykatës.

Pas kësaj, gjykimi më në fund filloi zyrtarisht kurse Shtekli tha se nuk e kupton aktakuzën, ndërsa të akuzuarit e tjerë mohuan fajësinë. Prokurori, nga ana tjetër, e përmendi Shteklin si organizatorin kryesor në furnizimin dhe shitjen e drogës.

“Trajkovski shfaqet si organizatori dhe koordinatori i grupit kriminal, i cili ishte në kontakt me persona nga jashtë dhe ndërmjetës vendas, me të cilët organizoi furnizimin fillestar të kokainës. Ai komunikon me disa të akuzuar dhe të dyshuar dhe u jep atyre drejtim dhe udhëzime për zgjerimin e rrjetit”, tha Verica Brezhetska Kërstevska- prokurore.

Mbrojtja hodhi poshtë këto akuza në fjalën hyrëse, madje duke deklaruar se Trajkovski nuk i njihte disa nga të akuzuarit. Aktakuza përfshin 10 persona për shitjen e kokainës dhe marihuanës, drogë që ata i fshehën nëpër banesa në Shkup. Hetimi njëvjeçar nga prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion në këtë rast fillimisht u drejtua kundër 16 personave, shtatë prej të cilëve tashmë kanë lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe kanë marrë dënime me burgim nga 3 deri në 3 vjet e gjysmë. Gjykimi kundër Trajkovskit dhe të akuzuarve të tjerë do të vazhdojë më 15 tetor./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button