Pendarovski dhe Siljanova mblodhën firmat për kandidaturën e tyre presidenciale

Pendarovski dhe Siljanova mblodhën firmat për kandidaturën e tyre presidenciale

Gazetar: Lluka Andrev

Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova mblodhën nënshkrimet e nevojshme për kandidaturën e tyre presidenciale. Të dy kampet falënderuan qytetarët që sot u rreshtuan para njësive rajonale të KSHZ-së. Nga kabineti i Pendarovskit theksuan se në kohë rekord, për më pak se pesë orë, janë mbledhur nënshkrimet e nevojshme dhe kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me aktivitetet edhe në ditët në vijim. Nga VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, bëjnë të ditur se do të arrijnë edhe rekord – në historinë e vendit Davkova do të ketë mbledhur më së shumti nënshkrime nga qytetarët për kandidaturën e saj. Ndërkohë, kritikat e ndërsjella nuk ndalen. Sipas kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, Siljanovska Davkova do të hyjë në raundin e dytë me njëqind mijë vota më shumë se Stevo Pendarovski. Mickoski iu referua edhe kandidaturës së Biljana Vankovskës, të mbështetur nga E Majta dhe Stevço Jakimovskit nga GROM, për të cilët tha se janë opozitë e opozitës.

“Roli i tyre është të dobësojnë potencialin e Gordana Siljanovska Davkovës. Ata nuk kanë asnjë kapacitet tjetër, as potencial, por mendoj se pas rezultateve në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale do t’u bëhet e qartë se çfarë mund të presin dy javë më vonë”, tha Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Socialdemokratët, nga ana tjetër, theksuan se në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare qytetarët do të zgjedhin drejtimin e shtetit. Akuzuan se VMRO-DPMNE dhe Siljanovska janë kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian

“Njëra është rruga e integrimit në BE, lider i së cilës është LSDM kurse rruga tjetër e propozuar nga opozita është krejtësisht e kundërta, është izolimi, ngecja, kthimi në kohë të errët të nacionalizmit dhe polarizimit. DPMNE, me Siljanovskën, ofron vetëm kthim, në izolim, të ngecur për 11 vite pa asnjë përparim, larg BE-së. Ata bëjnë premtime të rreme që nuk do të realizohen kurrë”, thonë nga LSDM.

Përveç Pendarovskit dhe Siljanovskës, dhjetë mijë nënshkrime tashmë kanë mbledhur Vankovska dhe Jakimovski, si dhe Maksim Dimitrievski, Arben Taravari dhe Bujar Osmani. Qytetarët do të mund t’i mbështesin kandidatët në zyrat e KSHZ-së deri më 8 mars, ndërsa kandidaturat do të zyrtarizohen më 20 mars./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button