Pendarovski: Samiti i BE-së në dhjetor nuk do të ketë epilog pozitiv për Maqedoninë
Pendarovski: Samiti i BE-së në dhjetor nuk do të ketë epilog pozitiv për Maqedoninë

Gazetar: Adnan Qaili
Është e qartë se cili do të jetë rezultati i samitit të dhjetorit të BE-së, për vendin tonë duke qenë se nuk u bënë ndryshimet kushtetuese, tha Presidenti Pendarovski, për parakushtin në kuadrin e negociatave evropiane, i cili nuk u përmbush nga Maqedonia e Veriut. Duhet të pritet treni i radhës, pasi që forcat politike në vend nuk ranë dakord për njohjen e minoritetit bullgar me kushtetutë.
“Për shkak të qëndrimit të fort të opozitës asgjë nuk u bë në atë drejtim. Është e qartë ë në Samitin e Dhjetorit nuk mund të ketë vendim pozitiv për ne, në sensin që të jepet kohë shtesë për konferencën e radhës gjatë së cilës do të duhet ti vazhdojmë negociatat. Të shohim si do të jenë vendimet e BE-së në dhjetor për shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, megjithatë për Maqedoninë mendoj se nuk kemi se çfarë të presim. E dimë, kushtin nuk e përmbushëm, këtë muaj përfundon skrinningu, i cili ishte para kushti kryesor të vazhdojmë me konferencën e dytë”, deklaroi Stevo Pendarovski, President.
Pendarovski tha se ende nuk ka vendosur nëse do të kandidojë edhe për një mandat të presidentit. Për këtë tha se do të vendos pas Vitit të Ri. Ai tha se pushteti dhe opozita është e mundur që së shpejti të bien dakord për datën e zgjedhjeve parlamentare dhe atyre presidenciale.
“Afatet ligjore dihen nëse bëhet fjalë për zgjedhje të rregullta, por nëse flitet për zgjedhje të parakohshme 61 vota në Kuvend mund ta spostojnë më herët datën e zgjedhjeve. Vlerësimi nëse për ndonjë parti mirë apo keq, bashkë apo ndaras, sërish duhet të vendosin partitë politike parlamentare. Atë që unë e dëgjoj dhe e di, mendoj se ngadalë qëndrimet pushtetit dhe opozitës po përafrohen dhe me siguri ditëve në vijim do të kemi edhe një paralajmërim zyrtar që kanë arritur ujdi për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në periudhën e njëjtë kohore”, tha Stevo Pendarovski, President.
Nënkryetari i VMRO DPMNE-së Aleksandar Nikollovski, thotë se nuk ka vullnet politik dhe kohë për ndryshime të mëdha në kodin zgjedhor, por shton se nga e hëna mund të ulen e të bisedojnë për ndryshimet sipas rekomandimeve të OSBE-ODHR.
“Lidhur me datën e zgjedhjeve, shpresoj që nga e hëna përfundimisht partitë do të mund më seriozisht të bisedojnë për këtë temë. Këto janë argumentet tona kyçe, presim të dëgjojmë argumente më të mira nga ana tjetër, për momentin nuk kemi diçka konkrete nga ta. Shpresoj që do të mundemi për kohë të shkurtër të informojmë publikun për datën e zgjedhjeve, të cilat do të ishin të përbashkëta, përkatësisht rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale të bëhet njëkohësisht me zgjedhjet parlamentare”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, VMRO-DPMNE.
VMRO prej kohësh bojkoton koordinimet e të hënave në Kuvend, megjithatë kanë thënë se janë të gatshëm të marrin pjesë në grupin e punës i cili do të diskutojnë për zgjedhjet. /Alsat.mk