Pensionet nuk u dalin, pensionistët detyrohen të sigurojnë mbijetesën duke shitur produkte në pazar
Pensionet nuk u dalin, pensionistët detyrohen të sigurojnë mbijetesën duke shitur produkte në pazar
Gazetar: Avni Tahiri
Pensionistët që marrin pensionin më të ulët, për të siguruar ushqimet elementare dhe barnat e nevojshme, detyrohen që në një cep të Bit Pazarit që nga mëngjesi të shesin produktet që i kultivojnë nëpër bahçet e tyre. Ata thonë se ndonjëherë kanë probleme, pasi nuk i lejojnë të shesin.
“Sot është i pari dhe pagesa ka dalë, a mjaftojnë për pensionistët? Si jo, për atë arsye jemi këtu. Sepse nuk mjafton”.
Kështu shprehen pensionistët të cilët shesin në cep të Bit Pazarit, produktet që vetë i kultivojnë. Çdo të martë dhe të premte, në ndonjë cep, gra dhe burra të moshuar shesin lule, pemë dhe perime të ndryshme dhe më pas blejnë gjësende tjera që u nevojit për në shtëpi.
“Këto janë produkte tuajat? Po, janë tonat. Nuk jemi nga ata që blejnë e shesin. Pas shitjes blini tjera produkte më pas për në shtëpi? Po, sigurisht. Çfarë blini më shpesh? Djathë, ullinj, sheqer, oriz, vaj. Pra i shitni produktet tuaja dhe më pas blini tjera? Shesim tonat dhe blejmë të huaja. Më herët kisha qumësht që të lahem e tani nuk kam një pikë qumësht të shijojmë”, tha një pensioniste.
Përveç se këta pensionistë tentojnë për të nxjerrë një qindarkë më shumë me shitjen e produkteve të tyre ndodh shpesh që të mos lejohen të shesin.
“Përse nuk na ndajnë një pjesë diku që të mund të shesim dhe të paguajmë, ata na thuan që të shesim në tezga dhe të paguajmë atje. A është e vështirë të jesh pensionist në shtetin tonë? E vështirë është si jo, fëmijët më shkuan jashtë shtetit, burri më ndërroi jetë që 15 vite dhe ja merrem më këtë, 7 mijë denarë me erdhi rryma. Gjithë verës përdora gaz e tani çfarë të bëj me këtë 7 mijë denarë rrymë”, u shpreh nnjë pensionist tjetër.
“Si është të jetosh me pensionin e vendit tonë? Si në Afrikë. Ja shikoje, me gjëra të imta që të plotësojmë diçka dhe të mund të mbijetosh, të blesh barna, ky është fati ynë”, u shpreh një pensionist tjetër.
E që të shtohet edhe më shumë brenga për të siguruar kafshatën këta pensionistë që marrin pensione të ulëta dhe detyrohen të dalin në treg që të shesin produktet e tyre, nga dita e djeshme përfundoi edhe masa për kufizimin e marzhave të fitimit të një pjese të produkteve ushqimore bazë, që ishin pjesë e të ashtuquajturës shportë e vjeshtës.
Në vendimin që mori Qeveria u përfshinë 73 produkte ushqimore bazë, marzha bruto e fitimit të te cilave ishte kufizuar në 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë./ Alsat.mk