Për një javë, 28 mijë persona të evakuuar nga Afganistani

Talibanët e cilësojnë si vijë të kuqe 31 gushtin dhe paralajmërojnë për pasoja ushtrinë amerikane nëse nuk do të tërhiqeshin nga Afganistani brenda këtij afati të paralajmëruar.

Është një vijë e kuqe, Presidenti Biden pati thënë se në 31 gusht do të tërhiqnin të gjitha forcat e tyre ushtarake dhe nëse e zgjasin këtë afat, do të thotë se po zgjasin pushtimin. E po ndodhi kjo, do të ketë reagim. Nëse SHBA-ja apo Britania e Madhe kërkojnë kohë shtesë për evakuimet, përgjigja është ‘jo’. Në të kundërt, do të ketë pasoja”, tha Suhail Shaheen, zëdhënës i grupit militant për “Sky News”.

Komentet e tij erdhën në kohën kur kryeministri britanik Boris Johnson pritet të përcjellë personalisht një apel me Joe Biden për zgjatjen e afatit të largimit të trupave nga Afganistani, me qëllim që një numër më i madh njerëzish të arrijnë t’i largohen sundimit të terrorit taliban. Presidenti Biden tha se diskutimet po zhvilloheshin me udhëheqësit e vendeve të tjera për shtyrjen e afatit.

Skenat e dëshpëruara vazhdojnë në aeroportin e Kabulit, ku njerëzit janë të përgatitur për çdo gjë, e madje të rrezikojnë edhe jetët e tyre vetëm që të largohen. Talibanët kontrollojnë të gjitha pikat kryesore të kalimit tokësor me fqinjët e Afganistanit.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden thotë se përpjekjet për të evakuuar njerëzit nga aeroporti i Kabulit po përshpejtohen, me trupat amerikane që zgjerojnë perimetrin rreth vendit. Biden tha të Dielën se SHBA kishte larguar gati 28,000 njerëz nga aeroporti javën e kaluar.

Të paktën 20 persona kanë vdekur vetëm gjatë ditëve të fundit, disa si pasojë e të shtënave dhe të tjerë nga shtypja e turmës.

Bashkimi Evropian ka njoftuar se nuk do të pranojë të strehojë më refugjatë nga Afganistani. Këtë e bëri të ditur kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, vend i cili aktualisht mban presidencën 6-mujore të BE-së.

BE-ja nuk do të hapë asnjë korridor evropian humanitar ose migracioni për Afganistanin. Ne nuk do të lejojmë që të përsëritet gabimi strategjik i 2015-ës”, pohoi Janez Jansha, kryeministër i Sllovenisë.

Kryeministri slloven paralajmëroi masa të fuqizimit të kontrolleve kufitare, ndërsa tha se blloku 27-anëtarësh do të pranojë vetëm individë që ndihmuan misionin e NATO -s në Afganistan.

Edhe Rusia ka refuzuar kategorikisht të strehojë refugjatë afganë. Shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, shkruan Reuters, e kritikoi idenë e disa vendeve perëndimore për të dërguar refugjatë nga Afganistani në vendet fqinjë të Azisë Qendrore teksa vizat e tyre për në SHBA dhe Evropë, janë në proces shqyrtimi. Putin bëri të qartë se Moska nuk dëshiron që militantët afganë të mbërrijnë në tokën ruse te maskuar si refugjatë. Rusia i lavdëroi më herët talibanët duke thënë se ata po rikthejnë rendin në vend.

Udhëheqësit e talibanëve, të cilët kanë premtuar të tregohen më të moderuar që kur morën Kabulin të dielën e kaluar, kanë filluar bisedimet për formimin e një qeverie.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button