Për shkak të mjegullës anulohen fluturimet në Shkup, nga Aeroporti apelojnë që qytetarët të kontrollojnë oraret

Për shkak të mjegullës anulohen fluturimet në Shkup, nga Aeroporti apelojnë që qytetarët të kontrollojnë oraret

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Për shkak shikueshmërisë së ulët të shkaktuar nga mjegulla, në Aeroportin e Shkupit fluturimet nuk janë realizuar të gjitha sipas orarit të paraparë. Nga mbrëmë në ora 20:00 deri sot në mesditë, gjithsej janë anuluar tetë fluturime vajtje-ardhje.

“Janë anuluar 3 fluturime në ardhje, një nga Beogradi dhe dy nga Stambolli. Gjithashtu një fluturim nga Frankfurti është ri-orientuar. Për nisje nga Shkupi janë anuluar gjithsej 5 fluturime, dy për në Stamboll, një në Cyrih, një në Beograd dhe një në Athinë. 27 fluturime të tera u realizuan sipas orarit të planifikuar”, njoftojnë nga TAV Maqedoni.

Ndërkohë për shkak të mjegullës së dendur një ditë më parë u anuluan madje 20 fluturime për në qytete të ndryshme të Evropës.

Nga Aeroporti i Shkupit u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin vazhdimisht informacionet pasi çdo kompani ajrore ka kufi të tolerancës për fluturim kur ka mjegull.

Informacionet për qytetarët janë publike dhe mund të kontrollohen në faqen e Aeroportit: skp.airports.com.mk apo në numrin e telefonit 023148333. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button