Përfaqësimi / S’është publikuar raporti për administratën

Përfaqësimi / S’është publikuar raporti për administratën

Gazetar: Suad Bajrami

Pavarësisht obligimit, Ministria e Administratës Publike me të cilën udhëheqë Goran Minçev, nuk e ka publikuar raportin vjetor për të punësuarit në sektorin publik, në të cilin jepen të dhënat për të punësuarit në administratë.

Me këtë, pamundësohet analizimi i të dhënave për respektimin e përfaqësimit etnik, i cili prej shfuqizimit të “Balancuesit” ka mbetur në korniza të “dëshirës” apo “vullnetit të mirë”, pasi nuk ka një mekanizëm që obligon apo detyron udhëheqësit e institucioneve të mbajnë llogari për kategorinë kushtetuese të përfaqësimit të komuniteteve.

Sidomos, në rrethana kur në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, punësimet në administratë vazhdojnë të realizohen pa grafën e përkatësisë etnike, ndërsa në mungesë të informacioneve zyrtare, nuk dihet se si është aktualisht përqindja e përfaqësimit të komuniteteve dhe nëse po respektohet apo jo, Kushtetuta.

Nga Ministria e Administratës Publike, nuk përgjigjen se cila është arsyeja e zvarritjes të publikimit të raportit. Në maj të këtij viti, mospublikimin e raportit, Ministria e arsyetonte me avancimin e sistemit për menaxhim me burime njerëzore. Asokohe, deklaruan se raporti është në fazë finale, megjithatë kanë kaluar gati gjashtë muaj dhe ende nuk është gati.

Ndërkohë zgjidhja qeveritare apo Ligji për Përfaqësim të Drejtë, i cili do të zëvendësonte “Balancuesin” ndodhet për mendim në Komisionin e Venecias, i cili pritet që gjatë muajit dhjetor të japë mendim nëse është në përputhje me Kushtetutën dhe më pastaj të vijohet me procedurën e debatit dhe miratimit në Kuvend.

Pavarësisht premtimeve, nuk dihet afati konkret se kur ligji do të miratohet dhe si do të ndikojë në gjendjen e përfaqësimit të komuniteteve, periudha e vakumit kur nuk ka në fuqi as Balancues e as ligj.

Një ndër arsyet e shfuqizimit të Balancuesit, Kushtetuesja ka përmendur keqpërdorimin e përkatësisë etnike gjatë punësimeve, pasi janë evidentuar raste kur qytetarët rrejshëm janë paraqitur si pjesë e një komuniteti tjetër vetëm për t’u punësuar. Nga ana tjetër, shteti nuk ka pasur mekanizma ligjor për ta parandaluar këtë keqpërdorim, pasi e drejta e deklarimit është e lirë. Kritika ka pasur edhe për qasjen e përparësisë së përkatësisë etnike para cilësisë së kandidatëve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button