Përgatitja e terrenit për rikthimin e bujshëm të Grubit – Prokuroria këmbëngul se arresti-shtëpiak është për shkaqe sigurie të tij dhe familjes!
Përgatitja e terrenit për rikthimin e bujshëm të Grubit – Prokuroria këmbëngul se arresti-shtëpiak është për shkaqe sigurie të tij dhe familjes!
Gazetar: Suad Bajrami
Valë reagimesh për caktimin e masës së arrestit shtëpiak në vend të arrestit me burg për ish zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi, pasi një ditë më parë u kthye nga arratia 14-mujore ndërsa në Burgun e Shutkës kaloi vetëm 3-4 orë.
Prokuroria e arsyeton masën me shkaqet e sigurisë që kishin vlerësuar organet e shtetit.
“Kushtet e tilla janë plotësuar, pasi pas vlerësimit të organeve kompetente – MPB dhe ASK ekzistojnë informata serioze se në repartin e paraburgimit nuk mund të garantohet siguria personale e këtij të dyshuari. Detajet lidhur me rrezikimin e tillë janë prezantuar para gjykatësit të procedurës paraprake”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Megjithatë, ky arsyetim në opinion është pritur me mosbesim, ndërsa kritikat dhe komentet janë gjithnjë e më të zëshme se prapa këtij vendimi “ka një marrëveshje” të mundshme.
Nga ana tjetër, Alsat mëson se çështja e “rrezikimit të Grubit” ka kaluar si informacion në Agjencinë për Siguri Kombëtare më 19 shkurt, ndërkohë që Grubi ende ishte në arrati jashtë vendit.
Dyshimet janë se ky raportim ka përgatitur terrenin për kthimin e Grubit, nën arsyetimin se ndihet i kërcënuar, e që kjo rrethanë të mund të përdorej para institucioneve të drejtësisë.
Ndërkohë, fenomeni i pasigurisë në burgjet e vendit, nuk është i padëgjuar.
Ish kryeministri Nikolla Gruevski e arsyetoi arratisjen e tij në Hungari nën arsyetimin se i ishte planifikuar likuidim fizik pasi të dërgohej në burg.
“Ditëve të fundit mora informata të caktuara të cilat tregonin në likuidimin tim eventual në burg. Jo menjëherë, por pas një periudhë. Nga persona të cilët ishin të informuar mirë nga gjendja brenda burgut. A kishit dëshmi se janë ato informata të sakta? Kisha njohuri serioze nga njerëz të sigurt”, kishte thënë Nikolla Gruevski, Ish-kryeministër./ Alsat.mk









