Përgjimi/ LSDM-ja kërkon deklasifikim
Përgjimi/ LSDM-ja kërkon deklasifikim
Gazetare: Fatlume Dervishi
LSDM-ja vazhdon të kërkojë deklasifikimin e materialeve që lidhen me dyshimet për ndjekje dhe përgjime ilegale në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Agjencinë e Zbulimit, shkruan Alsat.
Sipas kreut të partisë opozitare, Venko Filipçe, pengimi i deputetëve që kanë certifikata për të pasur qasje te materiale, është jokushtetues.
“E vërteta është një dhe nëse del në sipërfaqe, do të shohin qytetarët se gjatë qeverisjes së LSDM-së nuk ka pasur absolutisht asnjë keqpërdorim të Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe as ndonjë ndjekje ose përgjim ilegal. Gjithçka që duhet të bëjë qeveria është që t’i deklasifikojë materialet. Më vjen keq që as deputetëve nuk u është dhënë qasje në ato materiale, edhe pse ata janë deputetë që kanë certifikata përkatëse dhe me këtë në një mënyrë është shkelur Kushtetuta”, tha Venko Filipçe, kryetar i opozitës.
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk komentoi qëndrimet e deputetëve nga vizita në dy institucionet e sigurisë. Tha shkurt se çështja është në duart e prokurorisë.
“Ka procedurë, është në duart e prokurorisë dhe unë nuk kam se çfarë të shtoj më shumë për këtë temë. Gjithsesi këto janë tema në të cilat kam qenë pjesëmarrës indirekt kështu që s’dua të them më shumë”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski më herët kishte thënë se ai dhe familja e tij janë ndjekur ilegalisht në kohën kur ishte lider i opozitës. Ai kishte paralajmëruar që do ju jepet fund përgjimeve ilegale dhe do të çojë deri në fund adresimin e përgjegjësisë për rastin. / Alsat.mk








