“Vijat e kuqe gjatë integrimit”, LSDM-ja javën tjetër prezanton Rezolutën
“Vijat e kuqe gjatë integrimit”, LSDM-ja javën tjetër prezanton Rezolutën
Gazetare: Fatlume Dervishi
LSDM-ja po merr ditë shtesë për të përgatitur Rezolutën për mbrojtjen e interesave shtetërore gjatë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, edhe pse ajo ishte paralajmëruar të prezantohet brenda kësaj jave. Venko Filipçe thotë se punojnë me kujdes për përpilimin e tekstit të Rezolutës. Përsëriti qëndrimin se edhe pushteti do të ketë mundësi ta shikojë dhe të japë mendimin e tij për tekstin.
“Ajo është një Rezolutë për të cilën mendoj se të gjitha partitë duhet të japin mendimin e tyre dhe të kenë kontributin e tyre. Nuk është diçka e pandryshueshme. Është qasja ose qëndrimi ynë. Pas prezantimit në Kuvend në fillim të javës së ardhshme, vlerësoj se është më mirë që partitë ta shqyrtojnë dhe të japin mendimet e tyre dhe më pas të debatojmë në Kuvend, thjeshtë që të mos keqpërdoret ose të shfrytëzohet për qëllime të ngushta partiake sepse është temë shumë e rëndësishme”, deklaroi Venko Filipçe, Kryetar i opozitës.
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se asnjë dokument nuk do të pranohet pa u shqyrtuar në detaje.
“Shpresoj se akoma ekziston kapacitet demokratik në LSDM që pasi ta prezantojnë, të presin që edhe në partitë e tjera politike të japim mendimin tonë për tekstin e saj. Sepse, nëse mendojnë që do ta pranojmë apriori, unë jam i hutuar sepse demokracia nuk funksionon ashtu. Kështu që unë me padurim e pres Rezolutën dhe shpresoj që do të kem disa ditë kohë për të hyrë detajisht në thelbin në qëllimet dhe synimet e saj dhe ne si VMRO-DPMNE të jemi pjesë e Rezolutës për vijat e kuqe”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
LSDM-ja kishte kërkuar miratim të një Rezolute e cila do të siguronte ruajtjen e interesave nacionale por njëkohësisht lëvizje në drejtim të eurointegrimit për të mos mbetur shumë pas vendeve të rajonit. /Alsat.mk








