Përleshje në Komunën e Vrapçishtit
Përleshje në Komunën e Vrapçishtit
Disa banorë të Gostivarit dhe disa fshatrave për rreth, sot janë futur me dhunë në komunën e Vrapçishtit duke kërkuar takim me kreun e komunës Isen Shabani. Shkak për këtë është bërë ndërprerja e punimeve tek kisha në fshatin Toplicë të Komunës së Vrapçishtit, nga ana e inspektoratit komunal dhe prokurorisë.
Banorët edhe pse dyshohet se punimet i kanë kryer në mënyrë ilegale, përkatësisht pa leje adekuate, këmbëngulin në kërkesën e tyre që këto punime të vazhdojnë. Sipas tyre bëhet fjalë për pastrim të Kishës dhe jo për uzurpim të rrugës publike.
Banorët kishin marrë me vete edhe shiritin me të cilin është rrethuar vendi nga ana e policisë dhe inspektoratit dhe e sollën në komunë në shenjë proteste, duke e varur në hyrje të korridorit të komunës së Vrapçishtit. Edhe pse banorët qëndruan në komunë deri në orën 18, kreu i komunës së Vrapçishtit Isen Shabani nuk i pranoi në takim.
Ndërkohë lidhur me këtë ngjarje ka reaguar Prokuroria duke theksuar se ka marrë njoftimin se MPB-ja po vepron për këtë rast pas denoncimit të bërë nga komuna e Vrapçishtit për kryerje të paligjshme shumë pranë rrugës magjistrale. Sipas Prokurorisë punimet janë ndërprerë, ndërsa do të hetohet se çfarë statusi ka objekti./Alsat.mk